Trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi, në prag të ndeshjeve që kuqezinjtë luajnë me Republikën Çeke dhe Anglinë për llogari të kualifikueseve të Europianit të 21-vjeçarëve, ka dalë para mediave për të folur për këto dy ndeshje dhe jo vetëm.
LOJTARËT E SHUMTA NGA ABISSNET SUPERIORE – “Kampionati në gjithë vitet e fundit ka pasur rritje. Kemi marrë edhe herë të tjera, por jo kaq shumë. Kemi marrë disa lojtarë që janë të datëlindjes 2002, 2003, që të jenë edhe për sezonin e ardhshëm. Ne mendojmë edhe për të ardhmen. Duke qenë se trajneri Reja merr shpesh lojtarë nga Shqipëria U-21, ne mendojmë edhe për të ardhmen”.
SYNIMET NË DY PËRBALLJET – “Janë ndeshje shumë të rëndësishme për ne, janë ekipe shumë të forta. Edhe ne jemi të fortë. Pavarësisht se kemi humbur në Çeki 4-0, kemi bërë një lojë të mirë. Humbja nuk justifikohet. Këto takime janë vendimtare për ne. Për sa kohë matematika na lejon për të kapur vendin e dytë, ne do të shpresojmë dhe do të sakrifikojmë t’ia bëjmë hyzmetin deri në fund. Sidomos në ndeshjen e parë, për të fituar në ndeshjen me Çekinë. Kemi bërë ndeshje të mira këtë edicion, duke mundur Slloveninë këtu. Kemi gabuar në dy ndeshjet e fundit, në Slloveni dhe Kosovë. Të paktën me Kosovën nuk duhet të kishim humbur si shkoi loja, por futbolli i ka të gjitha rezultatet. Shpresojmë që këto dy ndeshjet të bëjmë mirë nga dy ndeshjet e fundit”.
PORTIERËT NGA KAMPIONATI SHQIPTAR – “Kemi portierë edhe nga jashtë, si Molla, i cili është te Bolonja dhe luan me ekipin e 19-vjeçarëve dhe stërvitet me ekipin e parë. Mendoj që portierët, edhe Dema i Teutës, janë cilësorë.. Portierë ka Shqipëria, si Simoni që është një nga talentet dhe është i datëlindjes 2004. Mendoj se siç janë portierët, janë edhe të tjerë.
Kemi edhe Bajramin që është te Benfica, apo Konjuhi që ka qenë të Malmo. Janë dy lojtarë të rëndësishëm, perspektivë për ekipin A. Gjithashtu edhe Bebeziqi që është datëlindje 2003, pjesë e Olimpija Ljubjana, edhe ai është premtues. Shpresojmë që për Bajrmin dhe Konjuhin të bëhen pasaportat kësaj jave. Shpresojmë që t’u bëhet dhe të jenë pjesë të ekipit, pasi janë të rëndësishëm. Kemi mungesën e Asllanit, që e kishim menduar të ishte pjesë e jona, por do jetë pjesë e kombëtares A.
Na bëhet edhe qejfi, por na prish edhe planet, pavarësisht se ekipi U-21 është për të furnizuar ekipin A. Normalisht të prish ekuilibrat në grup, pasi nuk është se kemi shumë. Një lojtar si Asllani, që luan në Serie A, të prish ekuilibrat. Ne jemi pretendentë për ta kapur vendin e dytë dhe besoj se do t’ia arrijmë, që këtë ndeshje. Gjithsesi na bëhet edhe qejfi që furnizojmë edhe ekipin e A si asnjëherë më parë”.
LISTA – “Kemi lënë jashtë disa lojtarë, pasi kemi menduar për sezonin tjetër. Kemi thirrur Tucin që nuk ka qenë asnjë ndeshje këtë edicion dhe e kishim të rëndësishëm. Qëndroi jashtë gati një vit prej një dëmtimi në gju. Shpresojmë të jetë mirë, pasi është lojtar i rëndësishëm për ekipin. Është potencial për ekipin e parë. Mungesat që kemi shpresojmë të zëvendësohen me këta të rinjtë që kemi marrë, duke krijuar një miks edhe për sezonin tjetër dhe për këtë vit”.(Video: Konferenca e shtypit e trajnerit te kombetares U-21, Alban Bushi)