Kupa e Shqipërisë rikthehet sot me dy takimet, Vllaznia- Egnatia, dhe Tirana-Teuta, ndeshje të cilat do të nisin në orën 18:00. Kuqeblutë vijnë në këtë sfidë të kupës duke pasur përballë një skuadër që e kanë rivale edhe në kampionat, ku rrogozhinasit gjenden me një pikë më shumë sesa Vllaznia në tabelën e klasifikimit. Duke folur në konferencën e shtypit, trajneri kuqeblu, Goce Sedloski vlerësoi skuadrën kundërshtare për formën e mirë sportive që po kalon, ndërkohë që premtoi se skuadra e tij ka nxjerrë mësimet e duhura nga humbja me Tiranën për t’u rikthyer te fitorja me Egnatian.
“Janë dy ndeshje që luhen dhe kjo është vetëm e para. Jemi pak në situatë negative për humbjen ndaj Tiranës. Kjo është gjysmëfinale e Kupës dhe duhet të kemi durim. Duhet të rrisim ritmin dhe të luajmë siç dua unë. Kemi bërë analizën e Tiranës se ku kemi gabuar. Lojtarët që dalin në fushë duhet të japin gjithçka për ndeshje dhe rezultat të mirë e ta kemi të lehtë në transfertë. Pas 3 ditësh kemi kampionatin prandaj këto dy ndeshje duhet t’i luajmë në mënyrën më të mirë. E kam ndjekur dhe parë Egnatian. Luajnë shumë mirë dhe kam parë që bëjnë futboll të bukur. Presin për rastin e kundërsulmit dhe kam thënë që duhet të pozicionohemi si duhet. Duhet të luajmë mençur dhe rezultati vjen.”, u shpreh tekniku kuqeblu.
Në vijim, Sedloski, flet edhe për objektivin e këtij fundsezoni, teksa thotë: “Qëllimi është të kapim Europën siç kam folur me klubin. E kam thënë që çdo ndeshje është e rëndësishme. Ashtu si duam ne Europën, e do edhe Egnatia dhe ashtu jemi edhe në kampionat e jemi shumë afër. Do të jetë shumë interesante deri në fund. Duhet të mendojmë më vonë për ndeshje e ardhshme. Ka 2 ndeshje me të njëjtin kundërshtar për 3-4 ditë. Është pozitive që luajmë në shtëpi. Siç kam dëgjuar ata nuk luajnë në fushën e tyre dhe për mua nuk ka ndeshje në shtëpi apo jashtë por duhet të fitojmë për në finale.
Sa i përket formacionit të parë, anti-Egnatia, Sedloski, paralajmëron rikthimin titullar të Rejan Alivodës, ndërkohë që edhe pse ka pasur ndonjë kritikë për mungesën e golit, konfirmon nga minuta e parë edhe sulmuesin me përvojë Bekim Balaj.
Në mbyllje, njëshi i pankinës kuqeblu, Goce Sedloski, duke vlerësuar tifozërinë shkodrane që ishte e madhe në numër ndaj Tiranës, kërkoi që ta mbështesin skuadrën edhe në sfidën me Egnatian. “I falënderoj tifozët që kanë ardhur në atë numër dhe për mbështetjen. Në fund nuk i kemi gëzuar por e them edhe një herë që ka qenë e rëndë për të gjithë. U bëj thirrje të gjithëve që të bëhemi bashkë për të arritur qëllimin tonë.”, shprehet njëshi i pankikës kuqeblu, Goce Sedloski.
(Video) Prononcimin e plotë të trajnerit të Vllaznisë, Goce Sedloski, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar Veriur Sport në YOUTUBE.