Monday, November 25, 2024

(Video)Zhvillon punimet Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës Rajonale e Futbollit Lezhë, njihuni me vendimet e marra

Lexo

Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës Rajonale të Futbollit Lezhë është mbledhur sot për të marrë vendime të rëndësishme për aktivitetet futbollistike në këtë qark. Të pranishëm në këtë mbledhje ishin të 12 anëtarët e shoqatës të përfaqësuar me 18 delegatë, të cilët diskutuan pikat e përcaktuara në rendin e ditës, ndërsa e pranishme ishte edhe anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha.

Pas verifikimit të mandateve, Kryetari i SHRF Lezhë, Kristian Gjidodaj, mbajti një fjalë përshëndetëse, duke renditur edhe aktivitetet e shumta që ka organizuar kjo shoqatë në këtë qark dhe ka evidentuar rritjen e numrit të ekipeve dhe fëmijëve që luajnë futboll në të gjitha moshat. Gjithashtu, Gjindodaj theksoi se projektet e FSHF-së “Topi Yt”, mbështetja financiare e futbollit të vajzave apo edhe projekti më i ri “Uniforma ime” kanë pasur një impakt të madh në zhvillimin e futbollit në rajonin e Lezhës dhe kanë sjellë impakt shumë pozitiv.

“Nga pikëpamja statistikore, shoqata jonë ka organizuar ndeshje për të gjitha grup moshat në nivel rajonal nga U7 deri U17 pa harruar këtu futbollin e vajzave, kampionatin ne shkolla për djem dhe vajza, kampionatin “5×5”, Projektin “Playmaker”, stërvitjet e vazhdueshme dhe Turnet e Përfaqësueseve Rajonale. Gjatë vitit të kaluar janë organizuar 572 ndeshje futbolli, nga te cilat: 110 ndeshje U9, 210 ndeshje U11, 110 ndeshje U13, 42 ndeshje U18”, – tha Gjindodaj.

Sipas tij, qëllimi i SHRF Lezhë në këtë katërvjeçar është rritja e numrit te fëmijëve qe merret me futboll (vajza dhe djem), si dhe një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet përmirësimit të kushteve të infrastrukturës, si një element i rëndësishëm për zhvillimin e brezave te ardhshëm.

Ndërsa anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha, në fjalën e saj tha se futbolli ka një peshë të jashtëzakonshme në kontekstin sportiv të realitetit shqiptar, pasi vetëm në një javë në Shqipëri organizohen 571 ndeshje futbolli në të gjitha nivelet dhe janë më mijëra lojtarë që angazhohen me lojën e bukur të futbollit.

“Janë me qindra arbitra, delegatë, vëzhgues, që ndjekin këto takime e paguhen pra nga buxheti ynë. Pakkush e di, ju jeni në dijeni, por jashtë këtyre sallave, se vetëm këtë vit, FSHF falë një pune sistematike të palodhur, ka arritur të sjellë në Shqipëri 10 turne ndërkombëtare, për moshat, vajzat e deri tek organizimi i Elite Round. Falë projekteve tona, “Uniforma Ime”, “Topi im” apo projektit më të fundit “Disney’ me UEFA, kemi arritur qëllimin tonë, atë që proklamuam që në krye të herës vitin e kaluar në strategjinë tonë të “Futbollit për Kombin”, për të masivizuar futbollin në çdo shkollë, në çdo qytet, në çdo rreth. E falë kësaj pune të jashtëzakonshme, sot, pas një viti, themi me bindje të plotë se kemi 30 përqind më shumë fëmijë që angazhohen me sportin e bukur të futbollit. Sepse u kemi garantuar prindërve bazën materiale të nevojshme që ti angazhojnë fëmijët e tyre me sportin. Masivizimi është sfidë që kërkon kontributin e gjithsecilit prej nesh, edhe tuajin, për të qenë në pararojë të zhvillimeve sportive në vend. Sot kemi gati 2000 vajza që angazhohen në sportin e bukur të futbollit, e në fund të katër viteve presim që armatës sonë të vajzave ti bashkohen shumë më shumë vajza që luajnë futboll. Sot, me partnerët tanë, UEFA e FIFA, jemi duke investuar fuqishëm edhe në infrastrukturë. Projekti “100 fushat” është një prej më të suksesshmëve që po realizojmë. Ndaj, duke ju përshëndetur për zhvillimin e Asamblesë ditën e sotme, ju uroj punë të mbarë dhe jam këtu për të dëgjuar gjithsecilin prej jush, e pse jo, të jemi kontributorë dhe motor gjenerues i ideve të reja që përmirësojnë punën tonë e lojën e bukur të futbollit”, – tha znj. Basha.

Më tej, u vijua me rendin e ditës, duke miratuar pasqyrat financiare dhe buxhetin e vitit 2023 të SHRF Lezhë, si edhe pas diskutimeve u miratuan me unanimitet votash disa ndryshime statutore për ta përshtatur statutin me hartën e re të qarkut sportiv Lezhë dhe përcaktimin e kompetencave të organeve vendimmarrëse.

Gjithashtu, në këtë asamble anëtarësia zgjodhi edhe delegatët që do të përfaqësojnë SHRFL në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF. Kandidaturat e propozuara ishin Kristian Gjidodaj, Klevis Gjoka dhe Sajmir Nezaj, të cilët pas votimit u përzgjodhën si delegatët që do të përfaqësojnë SHRF Lezhë.

(Video) Punimet e Shoqatës Rajonale të Futbollit Lezhë, fjala e kryetarit Kristian Gjidodaj

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img