Ashtu siç e kishte paralajmëruar “Panorama Sport” prej disa ditësh, tashmë Kevin Dodaj duket shumë pranë transferimit në një kampionat jashtë vendit. Për sulmuesin e talentuar të Vllaznisë ka shfaqur interes konkret ekipi suedez i AIK. Skandinavët ende nuk janë dorëzuar për të siguruar shërbimet e 19- vjeçarit, ku do diskutohet një formulë e mundshme e transferimit në Suedi të Dodajt, që mund të kënaqë të gjitha palët. Megjithatë, përveç suedezëve, informacione dhe interesim për shërbimet e Dodajt kanë shfaqur edhe skuadra në Kroaci dhe Turqi.
Emrat e ekipeve momentalisht nuk bëhen të ditura, por e sigurt është që janë ekipe të elitave në vendet përkatëse. Një verë e “nxehtë” duket se do të jetë kjo për Dodajn dhe Vllazninë, ku e ardhmja për sulmuesin, sipas të gjitha gjasave, do të jetë larg Shkodrës. Megjithatë, për t’u konkretizuar një lëvizje e mundshme, duhet të presim edhe disa ditë.
SUEDEZËT – Ditë më parë, “Panorama Sport” mësoi në mënyrë ekskluzive, që për djaloshin shkodran ka një interesim konkret nga ekipi i AIK-ut në Suedi. Drejtuesit dhe menaxherët e skuadrës së njohur skandinave kanë pasur kontakte të vazhdueshme me presidentin Alban Xhaferri në ditët e fundit, ku nga ajo çfarë bëhet e ditur për gazetën, është se menaxherë të klubit ndodhen aktualisht në Shkodër dhe në ditët e ardhshme do të ketë një hap konkret dhe ndoshta edhe ndonjë ofertë zyrtare në drejtim të Vllaznisë për Kevin Dodajn. Momentalisht, nga ajo çfarë bëhet e ditur në burime pranë klubit kuqeblu, po diskutohet edhe formula e transferimit të sulmuesit në Suedi.
Çmimi që pretendon të marrë Vllaznia nga shitja e Dodajt, shkon nga 500-700 mijë euro. Por drejtuesit e AIK-ut po negociojnë që ky çmim të jetë disi më i ulët dhe në këtë mënyrë, nëse kartoni do të jetë më i ulët se vlera që pretendon Vllaznia, një pjesë e kartonit të 19-vjeçarit do të mbahet edhe nga kuqeblutë, të cilët mund të marrin përfitime të tjera financiare në të ardhmen. AIK është një nga skuadrat e mirënjohura të futbollit suedez dhe atij në Skandinavi, ku është shpallur 12 herë kampion i Suedisë.
Endri ÇINARI