Ndërprerja e kampionatit për shkak të ndeshjeve të kombëtares së Shqipërisë i ka dhënë mundësi teknikut Mirel Josa që të lërë skuadrën kuqeblu dy ditë pushim. Një pushim ky që ka ardhur pas ndeshjes së javës së pestë të kategorisë Abissnet Superiore, të cilën Vllaznia e fitoi me rezultatin minimal 1-0 falë atij goli të shnuar që në sekondat e para të lojës nga vlonjati Ardit Hoxhaj.
Ndërkohë, që nga pasditja e kësaj të mërkurë nisin përgatitjet për Kupën e Shqipërisë, e cila është veprimtaria e parë futbollistike që nis menjëherë pas ndërprerjes së kampionatit.
Në fakt, sipas kalendarit që ishte publikuar më herët nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit, Vllaznia duhej ta luante ndeshjen e parë të turit të parë me Flamurtarin e Vlorës me datë 28 shtator. Por, me një vendim të dytë të sektorit të garave pranë FSHF-së, ka ndryshim të grafikut.
Kështu, ndeshja Flamurtari-Vllaznia, por edhe çifti tjetër i grupit A, Pogradeci-Bylisi, do të luajnë dy ditë më heret, me datë 26 shtator. Po më 26 shtator do të luhen edhe edhe katër duele të tjera të grupit B: Devolli-Laçi, Labëria-Kukësi, Luzi 2008-Teuta dhe Turbina-Erzeni.
Ndërkohë, ndeshjet e tjera të turit të parë do të luhen të gjitha me datë 28 shtator, ku mes tyre spikat edhe çifti Veleçiku-Tirana. Koplikasit e drejtuar nga trajneri Dritan Smajli eleminuan në turin paraeleminator Murlanin me rezultatin 3-0 dhe tashmë presin në Koplik skuadrën kampione Tirana.
Një ndeshje kjo që pritet të shndërrohet në festë për tifozërinë vendase dhe më gjërë, pasi fushën sportive Duli e viziton për here të pare, Tirana, kampione e Shqipërisë. Sa i takon Vllaznisë, edhe pse në turin e parë ka përballë një skuadër të kategorisë së parë, në kampin kuqeblu e kanë marrë shumë seriozisht, sepse bëhet fjalë për Flamurtarin, një emër i traditës së futbollit shqiptar, në përbërje të të cilit luajnë futbollistë të njohur që kanë fituar trofe, mes të cilëve edhe ish futbollistët e Vllaznisë, Gocaj, Pjeshka, Bicaj, Ramadani dhe ndonjë tjetër.