Vllaznia e Shkodrës në futboll për femra është pranë shkruarjes së historisë së futbollit shqiptar, realizimit të një suksesi të mundshëm për t’u kualifikuar në grupet eleminatore të Ligës së Kampioneve të Europës në futboll femra, që nëse vertet bëhet realitet, do të jetë skuadra e parë shqiptare që arrin një sukses të tillë. Stadiumi “Loro Boriçi” i qytetit të Shkodrës pret nesër një ndeshje shumë të rëndësishme ndërkombëtare të futbollit të femrave.
Bëhet fjalë për duelin e Ligës së Kampioneve të futbollit të femrave, në mes Vllaznisë vendase, kampione për herë të nëntë radhazi e Shqipërisë dhe kampiones së Ukraines, Vorskla Kharkiv-2.
Sipas marrëveshjes në fjalë mes dy klubeve, për shkak të situatës së luftës në Ukrainë, të dyja ndeshjet do të luhen në stadiumin “Loro Boriçi: të Shkodrës. Sfida e parë do të jetë këtë të mërkurë në orën 18:00.
Në prag të kësaj ndeshje, kanë qënë trajneri Nikolin Leka, kapitenia e Vllaznisë Esmeralda Franja dhe golashënuesja Megi Doçi, që kanë dalë në konferencë për shtyp.
Fillimisht, ka qënë tekniku Nikolin Leka, i cili i pozicionuar mes dy kapiteneve potenciale të futbollit shqiptar, Franja dhe Doçi, ka bërë një panoramë të përgjithshme të situatës në skuadër duke u shprehur optimist për kualifikimin në turin tjetër, që do të thotë përfshirja në 16 skuadrat më të mira të Europës.
“Neser na pret një ndeshje e vështirë, por jemi të vendosur për të realizuar ëndrren tonë për kalimin në fazen e grupeve. Kemi disa probleme dëmtimesh, por me lojtaret e tjera që janë ofruar së fundi nga ana e presidentit, besoj se nuk do jetë problem mungesa e tyre. Kundërshtarin pak e njohim, megjithatë e dimë që në këtë staf ku po luajmë, nuk ka ekipe të dobëta. Sivjet është momenti i duhur, ka adhur në kohën e duhur dhe do të tentojmë të hyjmë në histori me Vllazninë për te shkuar në grupet e Champions League. Ndeshjet do t’i marrim me rradhë dhe për momentin jemi të fokusuar maksimalisht tek sfida e parë”, u shpreh ndër të tjera trajneri i Vllaznisë, Nikolin Leka.
Pas teknikut Leka, ka qënë kapitenia e Vllaznisë Esmeralda Franja, e cila ka folur për emocionet e kësaj pragndeshje, por edhe për dëshirën dhe besimin për të kaluar turin. “Për ne është një ndeshje shumë e rëndësishme kjo e së mërkurës. E konsideroj një ndeshje historike sepse jemi shumë pranë kualifikimit në grupe dhe prandaj po e presim me shumë interes. Në fillimet tona në këtë kompeticion ëndrra jonë ka qenë kualifikimi në 32 skuadrat më të mira të Europës por tashmë këtë e kemi bërë realitet tre herë dhe ëndrra aktuale të cilën po kërkojmë tani ta realizojmë është kualifikimi në 16-të më të mirat e kontinentit. Kundërshtarin nuk e njohim por mendoj se i gjithë ekipi do ketë shumë punë. Do të futemi në fushën e lojës për të dhënë më të mirën dhe për të kërkuar fitoren që në këtë ndeshje të parë, e cila do të na ndihmonte pastaj për kualifikimin”, tha kapitenia kuqeblu e Vllaznisë në futboll për femra, Esmeralda Franja.
E fundit, por jo nga rëndësia, ka folur Megi Doçi, golashënuesja më e mirë e futbollit shqiptar, por e cilësuar e tillë edhe në rang botëror, e cila për vlerat që disponon mban edhe shiritin e kapitenes së kombëtares shqiptare. “Mendoj se jemi gati për këtë ndeshje. Kemi punuar shumë mirë në stervitje dhe jemi në gjendje të mirë. Kemi shanse për kualifikim sepse kemi punuar mirë. Unë mendoj se jemi një grup me shumë cilësi brenda, madje do ta konsideroja më të mirin e të gjithë këtyre viteve dhe për këtë arsye, kemi pse të kërkojmë më shumë nga vetja dhe të tentojmë ta mundim këtë kundërshtar shumë të fortë. Do të bëj të pamundurën që të shënoj në këto dy ndeshje përballë kampiones ukrainase, por më e rëndësishme është kualifikimi i ekipit në turin tjetër”, tha sulmuesja potente e Vllaznisë, Megi Doçi.
Për të realizuar objektivin e kualifikimit, futbollistet shkodrane kanë nevojë për mbështetjen e tifozërisë shkodrane, ndaj thirrjes publike të bërë nga ana e Klubit të Futbollit të Femrave Vllaznia, pritet t’i përgjigjet një numër i madh fansash kuqeblu për të mbushur tribunat e stadiumit “Loro Boriçi”.