Vllaznia, në basketboll për meshkuj është e vetmja skuadër nga lojrat me dorë të Sport Klub Vllaznia që është kualifikuar në gjysëmfinalet e Kupës së Shqipërisë.
Shorti i hedhur në mjediset e Federatës Shqiptare të Basektbollit ka përcaktuar dy çiftet gjysëmfinaliste: Vllaznia-Kamza Basket dhe Tirana Neptun-Teuta, takime këto që do të luhen mbrëmjen e së shtunës duke filluar nga ora 18.00.
Ndërkohë, është përcaktuar gjithashtu edhe vendi i zhvillimit të ndeshjes finale, ku sipas rregullores, ajo do të luhet të dielen e 23 janarit, ora 18:00, në sallen e ekipit fitues të ndeshjes ndërmjet Tirana Neptun-dhe Teuta.
Në prag të kësaj gjysëmfinaleje, në kampin kuqeblu ka lajme të mira. Bëhet fjalë për merkato, ku skuadra është përforcuar me blerjen e basketbollistit amerikan Avi Christopher Toomer, i cili luan në pozicionin e qëndrës.
Burime pranë skuadrës, bëjnë të ditur se falë mbështetjes financiare të disa dashamirëse të basketbollit shkodran, pritet t’i bashkohet skuadrës edhe një basketbollist tjetër amerikan, Rahsaan Willi Williams, por edhe një trajner kosovar për të marrë drejtimin e skuadrës.
Në këtë mënyrë, duket se situata në basketbollin shkodran po shkon drejt normalizimit, pasi së shpejti pritet të bëhet publik edhe emri i presidentit të ri të basketbollit shkodran.