Sunday, November 24, 2024

Vllaznia përmbys Labërinë, nga 2-1 në Vlorë në 4 me 0 në Shkodër. Kuqeblutë kualifikohen në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë

Lexo

Vllaznia-Labëria 4-0(Shënues: Gjurgjeviç 30’, Aralica 78’, Mustedanagiç 79’, Heriç 89’, Latifi dhe U. Hoxha humbin penallti, 67’, 90+4’)

E mërkurë, 13 tetor 2021. Ora 13.30, stadium “Reshit Rusi” i qytetit të Shkodrës

Zogoviç, Gurishta, Adili, Diagne, Hakaj, Krymi, Jonuzi, A. Hoxhaj. Latifi, Gjurgjeviç, Aralica. (U aktivizuan: Kruja, Heriç, Mustendanagiç, Çoba, U. Hoxha) Trajer: Thomas Brdariç.

Labëria: Bunkaev, Kolila, Troqe, Dalinaj, Malko, Mirami, Elmazaj, Kuqi, Kqasaj, Haruni, Dhrami.(U aktivizuan: Kamberaj, Kuçi, Sinaj, Kasaj, Gjoka). Trajner: Arlind Rustemi.

Gjyqtarë: Besnard Kaimi(Tiranë), Ergys Spahiu(TiraProletar Puta(Gjirokastër). Gjyqtar i katërt: Daniel Vrapi(Tiranë)

Delegat: Përparim Laçi(Pukë)-Vëzhgues: Gëzim Caci((Tiranë)

Janë luajtur sot ndeshjet e kthimit të turit të parë të Kupës së Shqipërisë në futboll. Vllaznia, pjesë e Grupit B ka pritur në Shkodër, Labërinë e rrethit të Vlorës. Takimi i parë i luajtur në transfertë është mbyllur me fitoren e vlonjatëve me rezultatin 2 me 1. Ballafaqimi i sotëm Vllaznia-Labëria u luajt në stadiumin “Reshit Rusi” për shkak të punimeve që po kryehen në stadiumin “Loro Boriçi” në proçesin e rimbjelljes së barit.

Në ndryshim me ndeshjen e parë ku u aktivizuan futbollistë të formacionit të dytë, në ndeshjen e kthimit në fushë kanë qënë lojtarët më të mirë. Kjo, jo vetem për të siguruar kualifikimin për në turin e dytë, por edhe për të kolauduar skuadrën në prag të supersfidës së javës së pestë, atë të Superiores, Vllaznia-Dinamo e planifikuar për t’u luajtur të hënën e ardhshme në “Loro Boriçi” duke filluar nga ora 19.45.

Referuar takimit të sotëm, duhet thënë se megjithë dëshirën, këmbënguljen dhe presionin që skuadra kuqeblu ushtroi në portën mike të Labërisë, goli vonoi shumë të dilte në dritë. Madje, miqtë ishin shumë pranë shënimit të golit në portën e Vllaznisë, kur në minutën e 28-të, Dalinaj i shkëputet mbulimit të mbrojtjes kuqeblu dhe i vetëm me portjerin Zogoviç godet bukur, por po aq bukur grushton në korner portjeri Zogoviç. Dy minuta nga ky rast në portën e Vllaznisë, është Gjorgjeviç që shënon golin e avantazhit për ngjyrat kuqeblu duke qetësuar në një farë mënyre stafin kuqeblu, i cili deri në atë moment pati shumë kritika për skuadrën e tij.

Pjesa e parë mbyllet me avantazhin 1 me 0 për Vllazninë, ndërkohë që me fillimin e së dytës miqtë nga Vlora, edhe pse një skuadër e kategorisë së dytë vazhdojnë të luajnë si të barabartë me Vllazninë. Në një moment, Labëria ka një mundësi tjetër shënimi në portën e Vllaznisë për të barazuar rezultatin, ndërkohë që me kalimin e minutave, tensioni rritet sërishmi në kampin kuqeblu, pasi goli i shënuar në pjesën e parë nga Gjorgjeviç, vetëm sa barazon shifrat në rezultatin e përgjithshëm të dy ndeshjeve, dhe për t’u kualifikuar duhen gola të tjerë.

Pakënaqësia e teknikut Brdariç me skuadrën rritet edhe më shumë kur në minutën e 67-të Latifi humb një penallti të dhënë në favor të Vllaznisë, të cilën e pret portjeri mik Bunkaev. Për të freskuar skuadrën, Brdariç aktivizon, Krujën, Heriç dhe Mustendanagiç, të cilët i japin më tepër frymëmarrje skuadrës.

Goli me kokë i Aaralicës në minutën e 78-të shënon kthesen e Vllaznisë. 2 me 0 për Vllazninë, që tashmë konsiderohet e kualifikuar në turin e dytë. Por Brdariç kërkon edhe një tjetër gol qetësie që nuk vonon mejnëherë, pas 60 sekondash me autor Mustedanagiç, ndërkohë që vjen e dhe një gol tjetër i katërt me autor Heriç në minutën e 89-të.

Rezultati mund të thellohej edhe më tepër nëse mesfushori Uhejd Hoxha i aktivizuar në pjesën e dytë , nuk do të gabonte nga pika e bardhe e penalltisë së ekzekutuar në minutën e katërt shtesë. Edhe në këtë rast, ashtu si edhe me Latifin, portjeri mysafir Bunkaev tregohet i saktë duke pritur edhe goditjen e Hoxhës.

Përfundimisht, pas 4 minutash shtesë, gjyqtari nga kryeqyteti Kaimi sinjalizon mbylljen e gjithë takimit duke fiksuar fitoren e Vllaznisë me rezultatin e thellë 4 me 0, që me shifrat e përgjithshme 5 me 2(2-1 ndeshja e parë), kuqeblutë kualifikohen në turin e dytë të kupës së Shqipërisë.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img