Thursday, April 25, 2024

Vllaznia U17 në Turneun e Prishtinës. Dopietë e Dodajt, kuqeblutë e fillojnë me fitore, mundin Llapin 2-1 dhe kualifikohen në gjysëmfinale

Lexo

17 vjeçarët e Vllaznisë, fitues të dy trofeve më të rëndësishëm të vitit, titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë, janë pjesëmarrës të turneut ndërkombëtar të futbollit për moshat që po zhvillohet në kryeqytetin kosovar, Prishtinë.

Krahas skuadrës kuqeblu që përfaqëson Shqipërinë, konkurues në këtë turne janë edhe ekipet e Kosovës, Ballkani, Llapi, 2 Korriku, Trepça ’89, Besa e Pejës, Rabotniçki e Maqedonisë së Veriut dhe Beshiktash i Turqisë.

Në bazë të shortit të hedhur nga organizatorët, takimin e parë çerekfinal, kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Edmond Doçi e kanë luajtur pasditen e së enjtes duke pasur përballë ekipin kosovar, Llapi, përfaqësues i një klubi me shumë traditë dhe cilësi në kampionatin kosovar.

Vllaznia ka arritur të shënojë e para duke kaluar në avantazh me golin e Kevin Dodajt që në minutën e 10-të të ndeshjes. Megjithë përpjekjet e të dyja skuadrave, pjesa e parë mbyllet me fitoren e kuqebluve, ndërkohë që në 45 minutat e dyta janë futbollistët e skuadrës kosovare të Llapit që ngulmojnë për të gjetur golin e barazimit, të cilin e arrijnë në minutën e 75-të.

Pas barazimit të rezultatit, emocionet shtohen edhe më shumë, pasi janë të dyja skuadrat që luajnë hapur në sulm duke kërkuar shënimin e golit të fitores. Por, pikërisht në kulmin e ritmit të lojës, ndryshimi papritmas i kushteve të motit duke sjellë një breshër plot rebesh bën që takimi të ndërpritet për disa minuta. Megjithatë, kjo nuk zgjat shumë dhe pas normalizimit të situatës, loja rifillon dhe është Vllaznia që në minutën e 80-të gjen golin e dytë të avantazhit përmes pikës së bardhë të penalltisë.

Është përsëri i njëjti futbollist, Kevin Dodaj, ai i cili pas një depërtimi mjeshtror brenda zonës së Llapit ndërpritet në mënyrë të parregullt nga mbrojtja kosovare. Arbitri vërshëllen për penallti, dhe është vetë Dodaj që e merr përsipër duke realizuar me sukses. Gol ky që në mbyllje të krejt ndeshjes rezultoi fitues për Vllazninë e cila me rezultatin 2-1 në favorin e saj kalon në turin gjysëmfinal. Një tur ky që Vllazninë e vë përballë skuadrës së 2 Korrikut, e cila nga ana e saj eleminoi në çerekfinale Trepça ’89.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img