Wednesday, May 15, 2024

Volejboll Meshkuj-Kupa e FSHV. Tirana kampione mund Vllazninë dhe shkon në finale me Erzenin që eleminoi Partizanin

Lexo

Kjo fundjavë është rezervuar e tëra për sportin e volejbollit, ku Federata Shqiptare e Volejbollit po organizon në sallen sportive të Farkes ne kryeqytet ndeshjet e Kupës së Federatës, pjesëmarrëse të cilës janë katër skuadrat e para të renditjes për sezonin e kaluar për femra dhe meshkuj.

Në pamundësi të Vllaznisë së femrave për të qënë në konkurim, pasi vitin e kaluar ishte e pesta në renditje, Vllaznia e meshkujve ndeshjen gjysëmfinale e ka luajtur me Tiranën, skuadrën kampione në fuqi.

Në pamje të parë, bardheblutë konsideroheshin dukshëm favoritë për të dalë fitues dhe siguruar finalen. Por, kuqeblutë e Vllaznisë të drejtuar me profesionalizëm nga trajneri Artan Kalaja, kanë sfiduar problemet jo të pakta organizative, por edhe largimet e disa titullarëve të formacionit dhe përballë kampionëve janë shfaqur tejet dinjitozë në fushën e lojës.

Në një farë mënyre, këtë e tregon edhe edhe ecuria e takimit, ku edhe pse rezultati në përfundim është 3 me 0 për bardheblutë, setet, sidomos i pari dhe i dyti kanë qënë tejet të rivalizuar.

Madje, në të parin, Vllaznia ka qënë shumë më pranë fitores sesa Tirana, e cila falë edhe episodeve, por edhe shansit arrin ta mbyllë setin e parë me pikët shtesë, 26-24 në fitim të saj. I tillë ka vijuar të jetë edhe seti i dytë, ku në disa segmente të lojës, është Vllaznia që kryeson, por në fund, përvoja dhe potenca e skuadrës kampione triumfon ndaj formacionit kuqeblu, në përbërje të të cilit ka shumë element të rinjë.

Fitorja e setit të dytë me shifrat 25-22 e çon Tiranën në avantazh me sete 2 me 0, ndërkohë që në anën tjetër humbja e dy seteve të parë bën që Vllaznia të bie moralisht, gjë që reflektohet në setin e tretë duke i dhënë mundësi Tiranës që drejtuar nga Arben Sako ta fitojë këtë set 25 me 14 dhe të gjithë ndeshjen me rezultatin 3-0.

Me këtë fitore, Tirana shkon në finale e Kupës së Federatës për t’u ndeshur me Erzenin e Shijakut, i cili nga ana e tij eleminoi Partizanin duke e mundur me rezultatin 3-1. Sa i përket ndeshjeve të femrave, finalja e Kupës së Federatës do të diskutohet mes Partizanit dhe Tiranës duke dhuruar kështu një derbi interesant kryeqytetas.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img