Për dy ekipet e Vllaznisë së volejbollit, meshkuj dhe femra, java e dytë e Kampionatit Kombëtar të Superligës rezultoi negative.
Kuqeblutë ishin mysafirë në Korçë duke u ndeshur me ekipet respektive të Skënderbeut vendas dhe që të dy ballafaqimet e luajtura në pallatin e sportit “Skënderbeu”, u fituan nga ekipet korçare me rezultatin e pastër 3 me 0.
Të parët që zbritën në parket ishin volejbollistët meshkuj, ku pavarësisht rezultatit në sete, sfida ka qenë e luftuar, me shkodranët që kanë rivalizuar deri në pikët e fundit në të tria fraksionet e lojës.
Në setin e parë, Skënderbeu u tregua më i saktë në momentet vendimtare, duke fituar 25-22. I njëjti rivalitet u shfaq edhe në setin e dytë, ku vendasit arritën të ruanin epërsinë dhe ta mbyllnin me shifrat 25-20.
Me të njëjtat parametra u luajt edhe seti i tretë, ku edhe pse Vllaznia e drejtuar nga trajneri Artan Kalaja, kërkoi të qëndronte në garë deri në fund për të dalë fitues në këtë set dhe për të rihapur takimin, janë përsëri volejbollistët e trajnerit te Skenderbeut Arben Prifti që menaxhuan më mirë pikët vendimtare, duke triumfuar sërish 25-22 dhe duke vulosur fitoren 3-0.
Kjo është fitorja e dytë radhazi në dy javë kampionat për Skënderbeun, ndërkohë që për Vllazninë, pas fitores në javën e parë, vjen humbja e parë duke mbetur në bilancin, një fitore dhe një humbje.
Ndryshe nga rivaliteti që u shfaq në ndeshjen e meshkujve, dueli Skënderbeu-Vllaznia për femra pati vetëm një protagonist në fushën e lojës. Ai ishte ekipi korçar, i cili dominoi dukshëm në të tre setet e ndeshjes.
25-10 janë shifrat e setit të parë të fituar nga Skënderbeu. Edhe i dyti ka për fitues Skënderbeun me rezultatin 25-13 duke përsëritur të njëjtën gjë edhe në setin e tretë, këtë radhë me shifrat 25-12.
Në këtë mënyrë, Skënderbeu për femra, është fitues i të gjithë ndeshjes me rezultatin e pastër 3 me 0 duke i shkaktuar kështu humbjen e dytë radhazi Vllaznisë në kampionat, pas asaj që pësoi javën e kaluar në shtëpi me Teutën.


