Volejboll meshkuj: Tirana-Vllaznia 3-0(25-13, 25-20, 25-19)
Fituan ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë me rezultat të ngushtë ndaj Skënderbeut, me rezultatin 3-2, takim ky i luajtur javën e kaluar në pallatin e sportit, “Qazim Dervishi”, por në sfidën e dytë të kompeticionit të Kupës, Vllaznia e volejbollit për meshkuj është mundur thellësisht nga Tirana me rezultatin 3 me 0.
Ndeshja e luajtur në sallën sportive “Fahrie Hoti” të kryeqytetit ka folur e tëra për skuadrën vendase, e cila që nga fillimi deri në fund e ka dominuar tërësisht takimin. Seti i parë, ka filluar në mënyrën më të keqe për skuadrën e drejtuar nga trajneri Artan Kalaja dhe kolegu i tij, Ermal Kraja, pasqyrë e së cilës janë shifrat e thella 25 me 13 për vendasit.
Seti i dytë ka qënë më i miri për Vllazninë, që përmes një rivaliteti më të madh arrin të shkoj deri tek pika e 20-të, por pikërisht aty dorëzohet duke ia lënë iniciativën Tiranës, e cila e fiton edhe këtë setë me shifrat 25-20.
Ka edhe një përpjekje tjetër në setin e tretë nga ana e Vllaznisë me synim fitimin e tij dhe rihapjen e ndeshjes, por nuk ndodh kështu, sepse bardheblutë e fitojnë edhe këtë set me shifrat 25-19 si dhe të gjithë ndeshjen me rezultatin e thellë 3-0.
Kalendari i Kupës së Shqipërisë e vendos Vllazninë e meshkujve, që ndeshjen e tretë të Kupës së Shqipërisë ta luajë në Shkodër, përballë Elbasanit.