Volejboll femra: Partizani-Vllaznia 3-0(25-17, 25-16, 25-19)
Formacioni i Vllaznisë:Paola Gjyshja, Klea Miloti, Laura Ballçiti, Edna Erkoçi, Sarah Beci, Liridona Kodra, Hanna Kniazeva, Dayra Cauramchyk, Liubov Pronina, Sara Malaj, Klodeta Zhivani, Daniela Kodra. Trajner: Besnik Lisha
Dy ekipet e Vllaznisë në Volejboll, femra dhe meshkuj kanë qënë mysafir në kryeqytet fundjavën e kaluar duke u ndeshur përballë dy ekipeve respektive të Partizanit dhe Tiranës. Ndeshje këto për llogari të Kupës së Shqipërisë, të cilat në përfundim të tyre u mbyllen me humbje për ekipet kuqeblu, dhe që të dyja me rezultatin 3-0.
Ekipi i femrave i drejtuar nga trajneri Besnik Lisha dhe kolegu i tij Dorjan Tafa, pas hapit pozitiv që bëri një javë më parë teksa mundi në Shkodër, Barleti Volej me rezultatin 3-1, në sfidën e luajtur në kryeqytet përballë Partizanit paraqiti një formë jo të mirë sportive.
Në sfidën e luajtur në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, skuadra kuqeblu e humbi ndeshjen me rezultatin 3-0, ku vetë pikët e seteve, 25 me 17, i pari, 25-16 i dyti dhe 25-19 i treti në favor të Partizanit tregojnë paraqitjen e dobët të Vllaznisë.
I vetmi set që skuadra kuqeblu pati një farë lëvizje, ishte ai i treti, ku në krahasim me dy të parët, arriti të shkojë deri tek pika e 19-të, por pa arritur të ecë më tej duke pranuar humbjen e pastër 3-0.
Në ndeshjet e tjera të dyta për Kupën e Shqipërisë femra, Skënderbeu mundi Tiranën 3-0, dhe Korabi u mund në shtëpi nga Korabi 0-3.
Ndeshjen e radhës për Kupën e Shqipërisë, Vllaznia e volejbollit femra do ta luajë në Shkodër me Korabin e Peshkopisë, një skuadër kjo modeste, ku Vllaznia pritet të rikthehet tek fitorja.