Monday, May 20, 2024

Volejboll meshkuj/ Partizani ‘kap’ Tiranën në derbi, kampioni i sezonit vendoset në ndeshjen e pestë

Lexo

Në Parkun Olimpik “Feti Borova”, Partizani fitoi 0-3 ndeshjen e katërt dhe barazoi 2-2 serinë e ndeshjeve. Në parket djemtë e Ylli Tomorrit ishin më të saktë duke fituar në tre setet duke çuar garën e titullit me pesë takime. Skuadra e Ylli Tomorrit i kishte marrë të gjitha masat, duke riparuar defektet e ndeshjeve të mëparshme, për të treguar superfuqinë e saj ndaj bardhebluve, teksa i mbylli llogaritë për 1 orë e 25 minuta. Tirana provoi të rivalizonte vetëm në setin e tretë, por pa mundur që të dilte me rezultat pozitiv.

Vrullin e “demave” e ndaloi për pak minuta vetëm një problem me rrjetën, që solli një vonesë të vogël në startin e takimit. Më tej Partizani u fut furishëm në lojë, duke dominuar totalisht, për t’i çuar shifrat e pikëve në 10-1. Partizani duket se ka gjetur më në fund formën që ka shfaqur gjatë sezonit dhe u dallua qartë që skuadra argëtohet në parket, me brazilianët që shkëlqejnë dhe me boshtin vendorë solid. Me pikën e setit nga Coutinho, Partizani e fiton fraksionin e parë 25-12. Edhe me rikthimin në parket për setin e dytë, Tirana duket e pafuqishme për të reaguar, ndërsa Partizani e kontrollon lojën me qetësi. Të kuqtë luajnë mirë në sulm, në shërbim, në bllok dhe në pritjen e topit të parë, ndërsa krijojnë menjëherë diferencë në pikë, për ta menaxhuar deri në fund, duke e fituar setin 25-19 me pikën finale me një bllok fitues nga Soares Souza.

Seti i tretë është më interesanti i të gjithë takimit, teksa bardheblutë e Arben Sakos provojnë të reagojnë. Të dyja ekipet luftojnë fort në çdo pikë dhe ka një seri të gjatë barazimesh. Por në momentet finale janë përsëri lojtarët e Partizanit që tregohen më të saktë, ndërsa sërish me një bllok fitues, Soares Souza realizon pikën e ndeshjes, duke vulosur setin 25-23 dhe të gjithë takimin 3-0 për Partizanin. Në fund ka vend për festën e merituar të skuadrës së kuqe, që tashmë arrin të drejtojë një seri finalesh që nisi në mënyrën më të keqe të mundshme, me dy humbje. Me 21 pikë të realizuara, braziliani Coutinho ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes, duke rezultuar vendimtar në suksesin e Partizanit. Qepa dhe Soares e mbyllën me nga 12 pikë secili, ndërsa Sabliqi realizoi 9 pikë. Për Tiranën në dopioshifër pikësh mbërriti vetëm kapiteni Ledion Martiro, autor i 14 pikëve. Të shtunën do të jetë radha e finales së pestë dhe të fundit, ku do të vendoset skuadra kampione e Shqipërisë për edicionin 2023-2024.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img