Kampionati Kombëtar i volejbollit, për femra dhe meshkuj luan këtë fundjavë ndeshjet e javës së dytë. Kalendari i përcaktuar nga Federata Shqiptare e Volejbollit, fillon me ndeshjet e ditës së premte, me dy sfida shumë interesante që do të luhen në pallatin e sportit, “Qazim Dervishi” të Shkodrës.
Vllaznia-Barleti Volej në volejboll për femra, është çifti i parë që nis në orën 16:00. Dy skuadra rivale edhe gjatë sezonit të kaluar sportiv, të cilat vijnë në ballafaqimet e javës së dytë me pozicione të kundërta. Që të dyja i luajtën ndeshjet e para në transfertë, ku universitaret e Barletit fituan 0 me 3 në Lushnje, ndërkohë që Vllaznia u mund në Korçë 3 me 0.
Për Vllazninë, që këtë sezon sportiv drejtohet nga trajnerja Nora Deda, kjo është ndeshja e parë e këtij sezoni që do të luajë përpara tifozërisë shkodrane, e cila pret fitore nga skuadra e tyre.
Ndërkohë, menjëherë pas femrave, në parketin e pallatit të sportit, “Qazim Dervishi” do të zbresin ekipet e meshkujve të Vllaznisë dhe Studentit, sfidë kjo e planifikuar të nisë në orën 18:00.
Ashtu si edhe femrat, edhe dy ekipet rivale të meshkujve për këtëj ndeshje, ballafaqimet e javës së parë i patën në transfertë, por me një ndryshim, sepse të dy i mbyllën me fitore. Studenti fitoi në Elbasan 0-3, ndërsa kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Artan Kalaja, sfiduan korçarët në shtëpinë e tyre me shifrat 1 me 3. Një fitore tjetër e mundshme ndaj Studentit do ta mbante Vllazninë në krye të tabelës së klasifikimit