Më në fund vjen edhe lajmi i mirë për sportin e volejbollit. Pas miratimit nga strukturat shtetërore të rikthimit në konkurim të aktiviteteve kombëtare, e shtuna ka shënuar startin zyrtar të fillimit të Kampionatit Kombëtar të volejbollit. Në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës është luajtur ndeshja e javës së parë të kampionatit, ajo në mes Vllaznisë dhe Apolonisë në volejboll për femra. Ajo që pritej me interes kishte të bënte me faktin se ish volejbollistja e njohur e Vllaznisë dhe kombëtares së Shqipërisë, Nora Deda, kishte debutimin e saj të parë si trajnere në krye të ekipit të Vllaznisë për femra.
Në fakt, Deda, e cila njëherazi është edhe pedagoge pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi” në departamentin e Edukimit Fizik dhe Sporteve, emërimin e saj në krye të Vllaznisë kishte kohë që e kishte marrë. Madje, ka muaj të tërë që përgatitet me skuadrën e saj, por periudha e pandemisë së Covid-19 pengoi për një periudhë të gjatë rreth 11 mujore zhvillimin e aktivitetit kombëtar.
Megjithatë, tashmë momenti i rikthimit të volejbollit në garat kombëtare mbërriti, dhe Vllaznia priti sot në shtëpi ekipin e Apolonisë së Fierit. Me një ekip ku në përbërje janë vajza të moshës së re, skuadra kuqeblu e nisi mjaft mirë kampionatin. Seti i parë ishte më luftaraku ku edhe emocionet ishin edhe më të shumta, pasi rivaliteti, me kryesimet, herë të njërës dhe herë të tjetrës skuadër ishin të shpeshta. Në fund, me pikët shtesë, 27-25, fituese e setit të parë del Vllaznia. Rivalitet kishte edhe seti i dytë, por Vllaznia arrin ta mbyllë përsëri me fitore, këtë radhë me shifrat 25-23. Avantazh 2 me 0 me sete për Vllazninë, e cila në të tretin e ka edhe më të lehtë fitoren, kur pas një dominimi total në fushën e lojës, skuadra kuqeblu fiton me shifrat 25-19, dhe kështu të gjithë ndeshjen me fitoren e pastër, 3 me 0.
Kështu, Vllaznia, e udhëhequr nga trajnerja Nora Deda, e nisi me fitore kampionatin duke dhënë sinjalet e skuadre ambicioze për një përfaqësim dinjitoz në sezonin sportiv, 2020-2021.