Kuqeblutë e Vllaznisë luajnë sot në “Elbasan Arena” duke filluar nga 17:45 ndeshjen e parë gjysëmfinale të Kupës së Shqipërisë duke pasur përballë Partizanin. Pozitat jo të mira në kampionat duke qënë për momentin jashtë zonës Europiane, kanë bërë që Vllaznia të fokusohet e tëra tek Kupa, si mundësia më e mirë për të luajtur në Kupat e Europës.
Për të shkuar në finalen e këtij kompeticioni, presidenti i KF Vllaznia, Alban Xhaferi ka vendosur të motivojë skuadrën me akordimin e një premio prej 10 mijë Euro.
Natyrisht, që shifra në fjalë është jo pak motivuese për skuadrën kuqeblu për t’ia arritur qëllimit. Por, nga ana tjetër, përtej asaj që shuma në fjalë mund të japë efektin e duhur, tekniku Plori dhe kolegët e tij të stafit teknik kanë bërë të ditur më herët se në kampin shkodran ka një mobilizim maksimal për t’i kurorëzuar me sukses dy ballafaqimet e turit gjysëmfinal.
Hapi i parë drejt kualifikimit pritet të hidhet që sot në stadiumin “Elbasan Arena”, ku përpos kapitenit Gurishta, i cili edhe për këtë ndeshje nuk është akoma gati të jetë në fushën e lojës, pjesa tjetër e skuadrës është e tëra në gatishmëri.
Bazuar edhe në testimet e bëra gjatë ditëve të pragndeshjes, Plori pritet ta nisë ndeshjen e sotme me këtë formacion: Vllaznia: Zogovic, Adili, Diagne, Bulatovic, Kruja, Krymi, Jonuzi, Hakaj, Latifi, Da Silva, Gjurgjeviç