Wednesday, April 24, 2024

Zaganjori, një shkodran premtues për mesfushën e Kombëtares U-17

Lexo

Ersi Zaganjori është një prej lojtarëve më interesant që aktualisht militon në ekipin Kombëtar U-17. Shkodrani i talentuar ka spikatur që në moshë të vogël dhe ka qenë fillimisht pjesë e ekipit Kombëtar U-15 ku ka bërë paraqitje të mira për të vijuar më pas me ekipin Kombëtar U-17, tashmë nën drejtimin e trajnerit Ervin Bulku.

16-vjeçari Zaganjori luan në pozicionin e mesfushorit dhe është rritur në akademinë e klubit të Vllaznisë, ndërsa premton shumë për të ardhmen duke parë cilësitë që ka edhe pse është në moshë ende shumë të re. Në intervistën e tij për rubrikën “Talenti Shqiptar” në fshf.org, Ersi Zaganjori tregon se si i hodhi hapat e parë në futboll, eksperiencën e tij të deritanishme me ekipet Kombëtare dhe qëllimet që ai ka në të ardhmen, qoftë me përfaqësuesen, qoftë në nivel klubi.

– Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll? Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?

– Pasioni im për futbollin ka lindur që në moshë fare të vogël në fakt. Madje, që në moshën 3-vjeçare kam nisur të luaj me top si çdo fëmijë dhe gjyshi im ishte i pari që spikati prirjet e mia në këtë drejtim. Ishte ai që më mësoi pak nga pak lojën e futbollit. Ndoshta i ndikuar edhe nga fakti që ai vetë ka luajtur futboll kur ka qenë i ri.

– Prej kohësh je pjesë e ekipeve Kombëtareve të moshave. Si është marrëdhënia juaj me grupin dhe trajnerin në Kombëtare? Po për ecurinë me klubin çfarë mendon? A je i kënaqur?

– Marrëdhënia ime me grupin dhe trajnerin e Kombëtares U-17 është mjaft e mirë. Kemi krijuar lidhje mjaft të mira me njeri-tjetrin dhe jemi një grup shumë i bashkuar, pasi kemi kohë që njihemi e punojmë së bashku. Unë jam pjesë e Akademisë Vllaznia prej afërsisht 10 vitesh. Ecuria ime me klubin ka qenë e mirë edhe pse gjatë sezonit kemi bërë disa gabime. Por tashmë mendoj se jemi forcuar dhe po luftojmë për zonën e play-off.

– Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga kombëtarja dhe debutimi me ngjyrat kuqezi? (debutimi me ekipin kombëtar te moshave)

– Kur më erdhi lajmi për ftesën, u ndjeva jashtë mase i kënaqur, pasi sigurisht është ëndrra e çdo futbollisti të luajë për Kombëtaren e vendit të tij. Debutimi im ka ardhur me fanellën e ekipit Kombëtar U-15, ka qenë në një ndeshje me Estoninë, kundër së cilës shënova dhe një gol. Ishte një debutim i paharrueshëm.

– Si e shikoni të ardhmen e ekipeve Kombëtare duke pasur parasysh brezin e lojtarëve që kemi aktualisht?

– Mendoj se ekipi Kombëtar U-17 është favorit për kualifikimin në Kampionatin Europian. Fakti që kemi në dispozicion një grup të mirë lojtarësh, mendoj se është në favorin tonë. Ka shumë elementë të rinj që i bëjnë shumë mirë konkurrencës dhe rrisin cilësinë e ekipit.

– Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani? Me kombëtaret e moshave dhe me klubin.

– Mund të veçoj si episodin më të bukur me klubin një ndeshje finale kur kam qenë 11 vjeç, pasi shënova 3 gola. Kjo ndeshje më dha edhe titullin lojtari më i mirë në Shkodër për moshën 11-vjeçare. Ndërsa për sa i përket Kombëtares ka qenë padyshim momenti i një goli të bërë nga goditja e dënimit në minutën e fundit të ndeshjes ndaj Estonisë, gol që i dha fitoren ekipit tim.

– Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?

– Futbolli sigurisht kërkon shumë sakrifica. Një ndër to është lënia pas dore e shkollës dhe mësimeve. Patjetër që tashmë kam në plan të parë futbollin, më pas vijnë gjërat e tjera.

– Çfarë synimi ke për të ardhmen?

– Si çdo futbollist tjetër, edhe për mua ëndrra në sirtar është të luaj një ditë me Kombëtaren e madhe dhe pse jo në një klub të njohur në një nga ligat më të mira të Europës.

– Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale? Ose kush është modeli yt në futboll?

– Idhulli im në Kombëtaren ideale është legjenda shkodrane e Vllaznisë, Sabah Bizi, ndërsa modeli që më frymëzon më shumë se kushdo është ylli i Juventusit, Paulo Dybala.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img