Dinamo-Vllaznia 0-0
E enjte, 5 maj 2022, ora 16:45, Stadiumi “Elbasan Arena”-Elbasan
Dinamo: Simoni, Malikiji, Mija, Imami, Prodani, Fejzulla, Sidibe, Demiri, Ibraimi, Haxhiu, Reginado. Trajner: Rodolfo Vanoli.
Vllaznia: Zogovic, Gurishta, Adili, Bulatovic, Hakaj, Krymi, Jonuzi, Kruja, Da Silva, Hoxhaj, Aralica. Trajner: Elvis Plori.
Në barazim, 0 me 0 është mbyllur ndeshja, Dinamo-Vllaznia, takim ky i luajtur pasditen e sotme në “Elbasan Arena”për llogari të javës së 32-të të Abissnet Superiore. Një barazin që automatikisht konsiderohet humbje për kuqeblutë, sepse luhej përballë vendit të fundit të klasifikimit dhe me moral zero, pasi ka disa javë që shpresat e saj për mbijetese në Superiore po shuhen.
Vllaznia gabon pikërisht në momentin kur nuk duhej të gabonte. Kalendari që e vendoste Vllazninë të luante e fundit në raport me rivalët, nuk ka arritur të shfrytëzojë mundësinë të kalonte Kukësin për t’i marrë vendin e katërt që do të thotë zonë Europiane për të.
Ndryshe nga sa deklaronte tekniku Plori në konferencën e pragndeshjes, që përpos pozitave që ka në renditje, e kishin vlerësuar maksimalisht kundërshtarin, futbollistët në fushën e lojës nuk është se e shfaqnin një gjë të tillë.
Një lojë pa nerv dhe me shumë gabime në pjesën e parë. Më ndryshe në të dytëm ku ritmi u rrit, jo vetem nga Vllaznia, por edhe Dinamo, që gjithësesi goli nuk doli në dritë në asnjërën prej portave respektive.
Vllaznia, në fakt i kishte rastet e veta për të kaluar në avantazh, përfshirë edhe një moment të diskutuar për penallti kur topi i goditur nga Da Silva prek dorën e mbrojtësit Imami
Ndërkohë, që nga ana tjetër, Dinamo e përforcuar në prapavijë dhe një 17 vjeçar të talentuar portë si Simon Simani, edhe ajo ka pasur momentet e saj të arta për të kaluar në avantazh, por merita e portjerit Zogoviç, por edhe nxitimi i sulmuesve blu, shpëtuan portën e Vllaznisë.
Me një fitore të mundshme sot ndaj Dinamos, Vllaznia shkonte në në kuotën e 48 pikë, duke parakaluar Kukësin e vendit të katërt me 2 pikë më shumë. Gjë, që do ta bënte ballafaqimin direkt mes tyre javën e ardhshme në “Loro Boriçi” më të thjeshtë në arritjen e objektivit.
Dhe tashmë, me humbjen e dy pikëve në “Elbasan Arena”, presioni për kapjen e zonës Europiane te Vllaznia përmes kampionatit shtohet së tepërmi. Që do të thotë, se skuadrës velindore të Kukësit, për të ruajtur vendin e katërt i mjafton edhe barazimi në “Loro Boriçi”. Gjithësesi, ajo që do të vendosë është mbrëmja e së hënës së ardhshme, në duelin e orës 19:45, ku padyshim do të jetë sfida më e rëndësishme e javës së 33-të të Superiores.
Gaspër MARKU