Wednesday, May 8, 2024

Zyrtare- Trajneri Xhovani Kolela, largohet nga Partizani. Akoma asnjë emër për zëvendësuesin!

Lexo

Klubi kryeqytetas njofton mbylljen e bashkëpunimit me italianin që i udhëhoqi drejt titullit

Në Shqipëri nuk mjafton as sigurimi i titullit “kampion” për të garantuar vazhdimësinë në stol. Dhe kështu ka ndodhur të mërkurën me Partizanin, që ka bërë të ditur mbylljen e bashkëpunimit me trajnerin Xhovani Kolela. Një gjë e tillë është konfirmuar nëpërmjet një njoftimi të postuar në profilet zyrtare të klubit në rrjetet sociale.

“Partizani njofton mbylljen e bashkëpunimit me trajnerin Xhovani Kolela, i cili të mërkurën i ka prezantuar dorëheqjen e parevokueshme presidentit Demi” – shkruhet në njoftimin në fjalë, që më tej vijon: “Trajneri largohet nga Partizani pas një viti të suksesshëm ku arriti së bashku me skuadrën objektivin madhor, titullin “kampion”.

Falënderojmë për kontributin “Mister” Kolelën, që largohet nga Shqipëria si trajneri “kampion”, dhe i bëjmë me dije se dera e Partizanit do mbetet e hapur për bashkëpunime të tjera në të ardhmen. “GRAZIE MISTER”, Ti mbetesh njëri prej nesh”, – përfundon njoftimi i klubit të Partizanit.

Kjo dorëheqje ka ardhur si një rrufe në qiell të hapur, teksa në prag të ndeshjes së fundit të sezonit që sapo u mbyll, ku Partizani u shpall “kampion” pas fitores ndaj Teutës, 56-vjeçari kishte deklaruar se ishte pjesë e planeve të të kuqve për pjesëmarrjen në Kupat e Evropës dhe për sezonin e ardhshëm.

Por largimi i papritur i drejtorit sportiv, Elton Marini, pak ditë më parë, duket se përshpejtoi edhe largimin e trajnerit italian, ndërkohë që e gjithë situata është një “deja vu” në klubin e kuq, teksa pak sezone më parë, edhe Skënder Gega u largua nga detyra e trajnerit pak ditë pasi e kishte udhëhequr gjiganden kryeqytetase drejt rikthimit tek titulli “kampion” pas më tepër se dy dhjetëvjeçarësh.

Mbetet për t’u parë se cili do të jetë njeriu që do të drejtojë skuadrën e Partizanit në pjesëmarrjen në Kupat e Evropës gjatë verës, teksa duket se emri i tij do të jetë i lidhur me atë të drejtorit të ri sportiv.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img