Veprimtaria e dytë e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, ka nisur të mërkurën me ngarkesë të plotë rrugëtimin e sezonit të ri të saj, me zhvillimin e ndeshjeve të para të turit të 32-shes. Në fakt, më herët janë luajtur edhe dy takimet e turit paraeliminator, prej nga Labëria dhe Luzi 2008 kanë fituar vendin në turin tjetër. Dhe turi i 32-shes, ndryshe nga sezoni i shkuar, ku, për shkak të epidemisë së virusit “Covid-19”, duelet u zhvilluan me një përballje të vetme, këtë sezon do të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje. Midis ndeshjeve të para të çifteve të këtij turi, spikatën duelet midis skuadrave të Kategorisë së Parë, teksa ato të Kategorisë Superiore janë favorizuar nga shorti.
Surpriza e këtij raundi ka qënë skuadra vlonjate Labëria, e cila mundi me rezultatin 2 me 1 fituesen në fuqi të këtij trofeu, Vllazninë e Shkodrës. Një fitore e merituar e vendasve e cila falë rasteve të paraqitura mund të kishte qënë edhe me një gol më shumë diferencë.
Ndërkohë, kampionia në fuqi Teuta, e ka mbyllur praktikisht kualifikimin që në takimin e parë, duke fituar thellë, 4-1 Luzin 2008 në transfertë.Nga skuadrat tjera të Superiores, Kastrioti ka mposhtur Elbasanin 2-0, ndërsa Egnatia e Rrogozhinës ka vuajtur për të marrë një barazim 1-1 në Cërrik përballë Turbinës, Kukësi është ndarë me rrjeta të paprekura përballë Maliqin, Laçi është ndarë me një barazim 1-1 në Sarandë me Butrintin dhe Dinamo është mundur minimalisht në Shijak përballë Erzenit.
Finalistja e mundur e sezonit të shkuar, Skënderbeu ka fituar 3-0 në Shkodër ndaj Veleçikut të Koplikut, ashtu sikundër ka bërë edhe Tirana në Peqin ndaj Shkumbinit, por edhe Partizani, që ka mundur 3-0 në Pukë Tërbunin. Ndërkaq, midis çifteve të tjera spikatin rezultatet e takimeve të parë të dueleve Besëlidhja e Lezhës-Burreli 0-0, Oriku-Bylisi 1-2, Vora-Korabi i Peshkopisë 2-1, Flamurtari-Apolonia 1-1, Lushnja-Tomori i Beratit 0-3 dhe Besa e Kavajës-Pogradeci 1-0. Ndërsa ndeshjet e kthimit të turit të 32-shes së Kupës së Shqipërisë luhen të enjten e 14 tetorit 2021.
Kupa e Shqipërisë Turi i 32-shes: Të mërkurën, 22 shtator 2021:
Tërbuni Pukë – Partizani Tirana 0-3
Shkumbini Peqin – Tirana 0-3
Veleçiku Koplik – Skënderbeu 0-3
Oriku – Bylis 1-2
Erzeni Shijak – Dinamo 1-0
Besëlidhja Lezhë – Burreli 0-0
Vora – Korabi Peshkopi 2-1
Butrinti Sarandë – Laçi 1-1
Maliqi – Kukësi 0-0
Elbasani – Kastrioti 0-2
Flamurtari – Apolonia 1-1
Turbina Cërrik – Egnatia Rrogozhinë 1-1
Lushnja – Tomori Berat 0-3
Besa Kavajë – Pogradeci 1-0
Luzi 2008 – Teuta 1-4
Labëria – Vllaznia 2-1