Thursday, May 2, 2024

Kombëtarja U-17/Miqësore në “Fadil Vokrri”, Shqipëria mund Kosovën 0-2, shkodranët Kiri, Fikaj, Haxhari, Zaganjori në formacion

Lexo

Kosovë U-17 – Shqipëri U-17      0-2 (Shënues: Tresa 18’, Agea 25’)

Shqipëria U-17: Kiri, Koleci (Ziu 88’), Fikaj (53’ Kurti), Haxhari, Ar. Kurti (c), Nuredini (Lulaj 88’), Zaganjori (Ruci 60’), Kasmollari (60’ Rama), Agea (Syla 60’), Tresa (Bode 71’), Xhixho(Reçi 88’). Trajner: Ervin Bulku

Kombëtarja shqiptare U-17 e ka fituar me rezultatin 2-0 vëllazëroren me Kosovën U-17, të luajtur këtë të mërkurë në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës. Trajneri Ervin Bulku e nisi sfidën me këtë formacion: Kiri, Koleci, Fikaj, Haxhari, Kurti, Nuredini, Zaganjori, Kasmollari, Agea, Tresa, Xhixho. Pjesë e njëmbëdhjetëshit të parë janë edhe katër futbollistët shkodranë, Kiri, Fikaj, Haxhari dhe Zaganjori, të cilët kanë bërë një paraqitje shumë të mirë në poërballjen e miqësores me Kosovën.

Kuqezinjtë e nisën shumë mirë sfidën dhe dominuan qysh në minutat e para. Si rrjedhojë goli i avantazhit do të vinte shumë shpejt e më konkretisht në minutën e 18-të. Tresa fiton një top në sulm dhe pasi avancon shënon një eurogol me një gjuajtje me të majtën nga distanca. Topi përfundon në trekëndësh, duke mos i lënë asnjë mundësi portieri të Kosovës për të shmangur golin. Nuk kalojnë shumë dhe në minutën e 25-të përfaqësuesja shqiptare gjen edhe golin e dytë me Agean që finalizon saktë i vetëm me portierin pas një aksioni të rrjedhshëm të kuqezinjtë.

Pjesa e parë mbyllet me rezultatin 0-2, ndërsa në pjesën e dytë trajneri Bulku bën disa zëvendësime, duke u dhënë mundësinë plot 8 lojtarë të tjerë që të tregojnë vlerat e tyre në fushë. Edhe në pjesën e dytë Shqipëria U-17 luan mirë arrin të administrojë siç duhet epërsinë deri në fund me ndeshjen që mbyllet me fitoren 2-0 në favor të kuqezinjve. Në përfundim të miqësores, trajneri Bulku u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës, me fitoren e arritur dhe impenjimin e treguar nga djemtë kuqezi në këtë sfidë.

Kjo ishte miqësorja e parë e programuar për këtë grumbullim, ndërsa më datë 24 shtator Kombëtarja U-17 do të masë forcat me Kombëtaren U-18. Takimi mes dy përfaqësuesve të moshave kuqezi do të luhet më datën 24 shtator 2021 në kompleksin “Internacional” në Pezë Helmes duke nisur nga ora 11:00. Në këtë test do t’u jepet mundësia edhe lojtarëve të cilët nuk u aktivizuan ndaj Kosovës për të treguar aftësitë e tyre në një ndeshje.

Miqësoret janë një mundësi e mirë për trajnerin Bulku për të kolauduar grupin përfundimtar që do të ketë në kuadër të ndeshjeve kualifikuese të Kampionatit Europian 2022, që luhen në muajt tetor-nëntor në Irlandën e Veriut. Kuqezinjtë janë shortuar në Grupin 12 së bashku me Italinë, Skocinë dhe Irlandën e Veriut.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img