Superiore-Sot, kryendeshja e javës, Partizani-Vllaznia. Trajnerët projektojnë formacionet, kuqeblutë të plotë, të kuqtë me mungesa titullarësh

Ora 19.45 e mbrëmjes së sotme përballë në “Elbasan Arena”, çiftin Partizani-Vllaznia, takim ky që me të drejtë cilësohet si kryendeshja e javës në tretë. Informacionet rreth dy kampeve përkatëse bëjnë të ditur se me përjashtim të mbrojtësit Bulatoviç, i cili vijon fazën riaftësuese të dëmtimit, Vllaznia e Brdariç është e plotë duke pasur në dispozicion të gjithë kontigjentin e futbollistëve. Ndërkohë që tek Partizani, tekniku Ilir Daja vuan mungesën e ndonjë titullari.

Gjithësesi, edhe e ka grupin e plotë, Brdariç nuk pritet të bëjë shumë ndryshime në formacion duke i besuar atyre që kanë luajtur në dy ndeshjet e para. Mbrojtja do të jetë ajo e mëparshmja, me Krujën djathtas, kapiteni Gurishta dhe Adili në qëndër dhe Hakaj majtas. Ndërsa në repartet e tjera alternativat janë më të shumta, por sërish trajneri pritet t’u besojë lojtarëve që ka aktivizuar si titullarë deri tani.

Në kampin e kuq, shqetësimi kryesor janë dëmtimet. Në takimin kundër Tërbunit, qendërmbrojtësi Dajan Shehi u aktivizua titullar, por pësoi një dëmtim, duke u zëvendësuar në pushimin mes pjesëve. Dëmtimi nuk është serioz për qendërmbrojtësin, por Daja nuk rrezikoi me të, duke aktivizuar Sotën në pjesën e dytë. Mbetet për t’u parë nëse Shehi do të jetë gati për takimin kundër ish-ekipit të tij, Vllaznisë. Probleme fizike kanë dhe dy lojtarët e rinj të “demave”, Dionis Çikani dhe Klevis Dragaj.

Ajo që vlen të theksohet tek Partizani është se trajneri Daja pritet të hedhe në fushë nga minuta e parë në krahun e djathtë të sulmit Andrija Filipoviç. Në atë pozicion, është aktivizuar më përpara Kardozo në dy ndeshjet e kampionatit, por braziliani pritet të ulet në stol. Kaçe pritet sërish titullar, ndërsa alternativat në mesfushë janë shtuar, pasi Rrapaj dhe Kote kanë lënë pas dëmtimet.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu