Në konferencën për shtyp organizuar nga KF Vllaznia për prezantimin e stafit të ri teknik të Vllaznisë U-21, përkrah trajnerit anglez Dean Paul Sibson i zyrtarizuar si trajner i parë i Vllaznisë U-21, ishte edhe ish futbollisti shkodran, Ergi Borshi, i cili do të jetë në rolin e Zv.trajnerit të Vllaznisë U-21.
Për ato që nuk e njohin, Ergi është djali i ish futbollistit kampion me Vllazninë Ferit Borshi, që më pas për vite me radhë vazhdon të punojë me ekipet e moshave të KF Vllaznia.
Fatkeqësisht, Ergi, nuk e pati mundësinë të vazhdonte aq gjatë sa i ati karrieren si futbollist i Vllaznisë, pasi një dëmtim i rëndë e privoi të ishte në fushën e lojës. Megjithatë, pasionin e tij për futbollin ai e vazhdoi më pas në detyrën e trajnerit, ku pasi u liçensua edhe si trajner, por edhe si vidioanalist filloi punën me ekipet e moshave.
Fati i keq i shkëputjes herët nga futbolli i luajtur duket se po kompensohet tek Ergi në detyrën e trajnerit, pasi, edhe pse në moshë të re, drejtuesit e KF Vllaznia i besuan të punojë si zëvendëstrajner në ekipin U-21. Dhe, përpos kësaj, një tjetër fat më shumë ka të bëjë me atë që ai do të punojë përkrah një trajneri të huaj dhe me eksperiencë të pasur, si anglezi Dean Paul Sibson.
Një gjë të tillë, Ergi e shprehu edhe në konferencën për shtyp të ditës së sotme kur u bë prezantimi i tyre. “Po, normalisht, tashti çdo gjë lidhet me fatin, por unë e shoh gotën gjysëm plot. Kështu që është një mundësi e mirë për mua ta nis karrierën herët, siç e thatë edhe ju, eksperienca me profesiorin besoj se do të më vlejë shumë.”, u shpreh jo pak i emocionuar Ergi Borshi përpara gazetarëve.
“Normalisht që është një rikthim për mua, tashmë si trajner te ekipi i Vllaznisë. Kënaqësia normalisht që është shumë e madhe. Do të mendojmë, që bashkë me profesorin, të bëjmë punën më të mirë të mundshme, gjithashtu dhe me stafin e ekipit të parë. Bashkëpunimet e ditëve të para me trajnerin anglez, normalisht që janë të mira dhe do të vazhdojnë të jenë të mira.”, përfundoi Ergi Borshi, tashmë në cilësinë e zv.trajnerit të Vllaznisë U-21.