Është prodhim puro i futbollit shkodran, por i riu i talentuar Belajdi Pusi, në pamundësi për të gjetur hapësira në radhët e Vllaznisë, prej 3 sezonesh është pjesë e skuadrës korçare, Skënderbeu. Pasditën e së shtunës në Korçë është mysafire Vllaznia e tij, ndeshje kjo e vlefshme për javë e katërt të kategorisë Superiore. Natyrisht, që emocioni dhe përgjegjësia për të dhënë më të mirën në fushën e lojës për uniformën e Skenderbeut ku ai bën pjesë janë të ndërlidhura njëra me tjetrën. Krahas asaj që si profesionist që është i duhet të bëjë më të mirën në fushën e lojës, një motiv më tepër për të këtë ndeshje është edhe shfaqja e cilësive të tija si futbollist për t’i bërë me dije drejtuesve kuqeblu se ato kanë gabuar me të.
“Gjithmonë ndeshje të tilla për mua janë speciale, sidomos ato që luhen në Shkodër, pasi është qyteti im dhe ekipi që më formoi si futbollit. Gjithsesi, edhe kjo është speciale pasi luajmë në shtëpinë tonë përballë një skuadre të fortë si Vllaznia. Është ndeshje e radhës për ne dhe jemi të përqendruar vetëm te ky takim, me qëllim që të bëjmë më të mirën. Jemi duke u përgatitur dhe po japim gjithçka që të jemi gati për këtë ndeshje. Normalisht është një sfidë e fortë, ashtu siç pritet të jenë të gjitha takimet deri në fund të sezonit. Prandaj, na duhet që të jemi gjithmonë të përqendruar dhe të shohim ndeshjen e radhës si objektiv. Këtë herë synimi ndaj Vllaznisë mbetet fitorja, si një rezultat maksimal që do të na jepte vijimësi, por edhe një lloj hakmarrjeje për finalen e humbur në muajin maj”, është shprehur shkodrani i Skënderbeut, Belajdi Pusi.
Për ironi të fatit, pjesë e Skënderbeu është edhe një shkodran tjetër po aq i talentuar, si Ardit Nikaj, ku edhe ai, ashtu si edhe kolegu Pusi, me të njëjtet argument përfundoi në radhët e korçarëve.