Shqipëria do të luajë nesër në mbrëmje një nga dy sfidat më të rëndësishme të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Katar 2022”, ndaj Hungarisë, takim që do të zhvillohet në Budapest, në stadiumin Pushkash Arena.
Në prag të kësaj sfide, trajneri Edy Reja dhe kapiteni Etrit Berisha kanë dalë në një konferencë për mediat ku kanë folur në lidhje me këtë sfidë.
Trajneri Reja, teksa iu përgjigj interesit të mediave shqiptare dhe atyre hungareze u shpreh se kjo ndeshje është mjaft e rëndësishme për të mbajtur ëndrrën gjallë, teksa theksoi se skuadra dhe lojarët kanë besim të lartë për të fituar nesër. Ai theksoi se skuadra se do të shfrytëzojë të gjitha mundësitë ditën e nesërme për të marrë 3 pikët, teksa foli edhe për formacionin e nesërm.
Ndeshja ndaj Hungarisë nesër, “një finale”? – Ne sigurisht duam të vazhdojmë të mbajmë gjallë këtë ëndërr të madhe, për të qëndruar në vendin e dytë deri në fund, por unë e kam thënë shpesh, jo vetëm para kësaj ndeshjeje, që për ne janë të gjitha ndeshjet si një finale. Nëse humbasim, ne dalim jashtë objektivave dhe nuk jemi më në lojë. Është e rëndësishme si ndeshje për ne dhe e dimë shumë mirë forcën e Hungarisë, por unë bazohem te fakti që ne po kalojmë një moment pozitiv. Kemi shumë siguri si ekip dhe lojtarët kanë shumë vetëbesim dhe lojtarët janë këtu për të bërë një ndeshje të madhe. Sigurisht duam të qëndrojmë në vendin e dytë dhe për këtë gjë duhet të fitojmë nesër.
Formacioni? Sigurisht që ka gjithmonë dyshime sepse trajneri ka gjithmonë dyshime përpara se të zgjedhë formacionin. Kam një grup me 24 lojtarë dhe do vendos vetëm nesër në mëngjes. Do shikojmë stërvitjen e fundit sot, kemi disa probleme fizike në disa element, do të luajë ai që është më në formë. Kush zbret në fushë duhet të japë maksimumin duke parë që kemi përballë Huingarinë që është një skuadër e fortë fizikisht. Do të luajë ai që është në gjëndje optimale. E rëndësishme është që kush zbret në fushën e lojës duhet të japë maksimumin. Kjo është ajo që kërkoj duke konsideruar Hungarinë një skuadër të fortë fizikisht, në këtë sens duhet të gjej zgjedhjet e duhura për formacionin. Kam ca dyshime për skuadrën që zbret në fushë por 9 apo 10 lojtarë janë zgjedhur tashmë. .
Hungaria – Ne duhet të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që do të na jepen gjatë ndeshjes dhe të jemi të aftë të ndryshojmë mënyrën tonë të lojës, apo vendosjen në fushë duke iu përshtatur kundërshtarit. Sigurisht, duke luajtur në shtëpi Hungaria do të jetë ndryshe nga ndeshja e parë, qoftë në aspektin taktik, por duke e njohur trajnerin e tyre që është italian, kam një përshtypje për mënyrën se si mund të luajnë. Nuk mendoj se do të përpiqen të fokusohen te kundërsulmi, por besoj se do të përpiqen të marrin në kontroll lojën, duke qenë se do të luajnë në shtëpi. Por ne do të jemi gjithmonë gati të pranojmë këtë lojë dhe t’i përgjigjemi në mënyrën e duhur, t’i sfidojmë edhe në aspektin taktik. Nëse ato mbyllin të gjitha hapësirat, ne do të përpiqemi që me ata lojtarë të shpejtë që kemi, të gjejmë mënyrat tona për të goditur kundërshtarin. Por nësë ata luajnë në mënyrën që do të na sulmojnë dhe do të na vënë në presion, Hungaria do ketë momente kur do zhbalancohet dhe ne do ta shfrytëzojmë në maksimum.
Bajrami apo një mesfushor force në këtë ndeshje? – Uroj të bëj zgjedhjen e duhur me Bajramin, sigurisht që një lojtar që ka aftësi shumë të mira për të cilin kemi folur shpesh, sidomos në aspektin sulmues. Por ekipi duhet të ketë ekuilibër në çdo repart dhe duhet të jemi gati në çdo moment të kundërsulmojmë kundërshtarin. Nuk është çështja një futbollist ofensiv apo një futbollist në mesfushë që luan më mirë në aspektin mbrojtës, por nuk kam vendosur ende, kështu që duhet të presim deri nesër.
Ndeshja më e vështirë me Hungarinë apo Poloninë? Rosi mendon se kjo ndeshje vendoset me një gol. Si e gjykoni? – Të dyja skuadrat, Shqipëria dhe Hungaria janë shumë të organizuara në aspektin mbrojtës dhe është e qartë që kush shënon do ta mbrojë, e ka kapacitetin. Nuk mund të thuhet kurrë kjo gjë se kush shënon fiton 1-0. Të shpresojmë që golin ta bëjmë ne përpara Hungarisë. Më e vështira është ndeshja nesër me Hungarinë, pas kësaj ndeshjeje do të shikojmë Poloninë. Për ne dhe Hungarinë kjo është një ndeshje e rëndësishme. Shpresa jonë është që të bëjmë një ndeshje të madhe të arrijmë rezultat.