(Video) Peshëngritje-Shkodra mirëpret Kupën e Republikës “Asim Belinovi” U15, U17. Shoqata “Dritan Kalemi” për femra, Lushnja U15 dhe Vllaznia U17 kampion ekipor. Aisli Barushi, Jorgest Osmani U15 dhe Antonino Mullisi U17, sportistët më të mire të aktivitetit

Shkodra ka mirëpritur Kupën e Republikës “Asim Belinovi” për grupmoshat U15 dhe U17 në sportin e peshëngritjes, një aktivitet ky kombëtar që rikthehet në qytetin verior pas një pauze 20 vjeçare.

Merita e këtij rikthimi të garave kombëtare në Shkodër shkon për kryetrajnerin e Vllaznisë Artur Lagja, i cili po rrit një brez të talentuar peshëngritësish, mes të cilëve spikasin Antoniono Mullisi dhe Saimir Lagja me tituj dhe rekorde kombëtare dhe ndërkombëtare, i cili bindi presidentin e Federata Shqiptare të Peshëngritjes të bëjë realitet një gjë të tillë.

I organizuar pasditen e së dielës në mjediset komode të palestrës së Vllaznisë që mban emrin e prej figurave legjendare të peshëngritjes shqiptare, Asim Belinovi, aktiviteti në fjalë kishte një risi, sepse ai i detikohej pikërisht kollosit të peshëngritjes shkodrane, Asim Belinovi.

Një sportist i jashtëzakonshëm që gjatë karrierës së tij ka thyer mbi 112 rekorde, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e sportit shqiptar. Gjatë ceremonisë së hapjes se aktivitetit, presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes Elez Gjoza nderoi ish kampionin shkodran Asim Belinovi me një medalje të veçantë për kontributin 65 vjeçar të dhënë në vite për sportin e peshëngritjes, jo vetëm si sportist por edhe si trajner dhe drejtues i federatës së peshëngritjes, ku edhe sot është president nderi.

Krahas FSHP-së, Asim Belinovi u vlerësua edhe nga drejtoria e sporteve dhe Këshilli Bashkiak Shkodër me Çetifikatë “Mirënjohje”.

Emocionet e ceremonisë vlerësuese për mjeshtrn Asim Belinova vijuan më pas në pedanë, me garat e peshëngritësve për dy kategoritë U15 dhe U17, të cilave u paraprinë konkurentet femra, një tjetër risi e këtij aktiviteti.

Si zakonisht, figurën më të mirë sportive e bëri talenti i peshëngritjes shkodrane, Antonino Mullisi, i cili krahas titullit kampion individual ishte edhe pranë rekordit kombëtar, ndërkohë që u shpall sportisti më i mirë i aktivitetit.

Në përfundim të garave u zhvillua ceremonia e mbylljes së aktivitetit, ku në bazë të rezultateve të regjistruara, vendin e parë dhe trofeun përkatës në konkurimin U17 e meritoi Vllaznia e Shkodrës me kryetrajner Artur Lagja. Në konkurimin e kategorisë U15, trofeun përkatës e meritoi ekipi i Lushnjës, ndërkohë që edhe sportisti më i mirë për këtë kategori i përket ekipit lushnjar, i cili është Jorgest Osmani. Emocionuese ishin edhe konkurimet e kategorisë së femrave, ku trofeun e vendit të parë e fitoi ekipi i Shoqatës “Dritan Kalemi”, ndërsa sportistja më e mire u shpall Aisli Barushi.

Kjo kupë ishte më shumë sesa një aktivitet sportiv. Ajo simbolizoi vazhdimësinë e brezave në peshëngritjen shqiptare, ku emri dhe trashëgimia e një legjende si Asim Belinovi shërbejnë si frymëzim për sportistët e rinj që sot hedhin hapat e tyre drejt sukseseve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Nga rekordet historike të kampionëve të dikurshëm, te talentet e reja që po rriten çdo ditë në pedanë, peshëngritja shqiptare vazhdon të dëshmojë se ka një histori të lavdishme dhe një të ardhme premtuese.

Ndaj, gjatë përshëndetjes së tij përmbyllëse, Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, falënderoi të gjithë sportistët, trajnerët, klubet dhe organizatorët për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në realizimin me sukses të këtij aktiviteti.

Rezultatet teknike të fituesve të Kupës së Republikës “Asim Belinovi”

Kategoria e femrave

– Sportistja më e mirë: Aisli Barushi

– Ekipi kampion: Shoqata “Dritan Kalemi”

Kategoria e meshkujve U15

– Sportisti më i mirë: Jorgest Osmani – Lushnja

– Ekipi kampion: Lushnja

Kategoria e meshkujve U17

– Sportisti më i mirë: Antonino Mullisi – Vllaznia

– Ekipi kampion: Vllaznia

(Video) Pamje nga ceremonia e hapjes së aktivitetit me dekorimin e veteranit Asim Belinovi, garat e femrave dhe dy kategorive U15 dhe U17, ceremoninë e mbylljes me shpalljen e fituesve, si dhe dy prononcimet e presidentit të FSHP  Elez Gjoza dhe veteranit të peshëngritjes Asim Belinovi, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE. 

Gaspër MARKU

- Reklamë -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Reklamë -spot_img

Video

Lexo edhe