Kombëtarja e Kosovës U17 ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në Austri, duke kaluar në “Elite Round” në kualifikimet për Kampionatin Evropian “Izraeli 2022”. Në ndeshjen e tretë dhe të fundit në Grupin 9, ekipi i drejtuar nga Arsim Abazi ka arritur të shënojë fitore, me rezultat të ngushtë ndaj Ishujve Faroe, 1:0.
Kjo fitore ia ka mundëësuar Dardanëve të rinj që t’i gëzohen kualifikimit në “Elite Round”. Golin e fitores dhe të kualifikimit më tej për Kosovën e realizoi Arjol Bllaca në minutën e 59-të. Kësisoj, Kosova U-17 e mbylli këtë fazë të kualifikimeve në vendin e dytë me 6 pikë pas tri ndeshjeve. Në ndeshjen e parë Dardanët U-17 e kishin mposhtur Austrinë, derisa në ndeshjen e dytë pësuan humbje me rezultat të ngushtë nga Sllovenia.
Pas ndeshjes përzgjedhësi Arsim Abazi u shpreh i lumtur me suksesin e arritur dhe përgëzoj djelmoshat e rinj për angazhimin dhe disiplinën e treguar në këto ndeshje kualifikuese. “Të them të drejtën edhe vet nuk e kam pritur një paraqitje të tillë brilante nga lojtarët tanë në këto tri ndeshje, pasi e kishim pak kohë në dispozicion për t’u përgatitur. Me shumë prej këtyre lojtarëve nuk kam pasur rastin të punoj shumë, ngase nuk kishim data të lira të FIFA-s për t’i grumbulluar në Prishtinë, por brenda pak ditësh kemi arritur që t’i motivojmë dhe ta bëjmë një ekip shumë të mire dhe shumë të disiplinuar. Djemtë kanë treguar karakter shumë të fortë dhe angazhim maksimal në secilën ndeshje. Edhe pse në duelin ndaj Sllovenisë kemi humbur, lirisht mund të them se djemtë e kanë zhvilluar lojën më të mirë. Të gjithë në ekip jemi shumë të lumtur për këtë sukses dhe të kënaqur me atë çfarë treguan këta djem. Tash e presim me entuziazëm raundin tjetër. Besoj se do të kemi kohë të mjaftueshme për të përfshirë në ekip edhe ndonjë tjetër lojtar cilësor dhe pse jo të synojmë kualifikimin. Normalisht se niveli në “Elite Round” është shumë më i lartë, ngase aty ngelin 30 ekipet më të forta, por ne do të vazhdojmë të përgatitemi sa më mirë. Nëse djemtë do të angazhohen dhe luftojnë me kaq shumë përkushtim sikurse në këto tri ndeshje, atëherë besoj se mund të bëjmë befasi. Për mendimin tim kjo është një gjeneratë shpresëdhënëse për të ardhmen e Kombëtares sonë“, ka thënë Abazi.