Me çiftin, Dinamo-Kukësi, i luajtur mbrëmnjen e djeshme në “Air Albania” të kryeqytetit, ndeshje kjo e fituar nga Kukësi me rezultatin 0 me 1, ka nisur java e shtatë e Kampionatit Kombëtar të Abissnet Superiore.
Ndërkohë, sot në program janë edhe dy ndeshje të tjera, ajo Laçi-Skënderbeu, e cila luhet në orën 13:45 në stadiumin e qytetit të Laçit, si dhe Vllaznia-Tirana, e planifikuar të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” duke filluar nga ora 16.45.
Superiorja, vijon të dielen edhe me dy çifte të tjera, Partizani-Egnatia dhe Teuta-Kastrioti, ndeshje këto, të cilat që të dyja janë planifikuar të luhen në orën 16.45.
Referuar, sfidës që do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” në klasiken e futbollit shqiptar, Vllaznia-Tirana, atmosfera në qytetin e Shkodrës në prag të kësaj ndeshje është shumë festive. Tifozëria shkodrane pritet të mbushë në numër rekord shkallët e stadiumit “Loro Boriçi” në mbështetje të skuadrës së zemrës për një fitore ndaj bardhebluve.
Nga ana tjetër, edhe në kampin bardheblu ka pasur informacione për një udhëtim të organizuar drejt qytetit verior, por nisur nga problemet e shfaqur gjatë minutave të fundit, lidhur me disa ofendime që ato kanë përcjellë në rrjetet sociale në drejtim të tifozërisë shkodrane duke paralajmëruar acarim të situatës mes dy tifozërive, klubi vendas ka marrë masat e duhura ekstreme duke përjashtuar praninë e tifozërisë bardheblu në “Loro Boriçi”.