Sunday, September 22, 2024

Disiplina dënon KF Shkodra me 4 ndeshje pa tifozë, për incidentin në Kompleksin Sportiv “Zmijani”, në ndeshjen Shkodra-Tirana U-19

Lexo

Klubi i Futbollit Shkodra do të luajë 4 ndeshje pa tifozë. Ky është vendimi që Komisioni i Disiplinës, pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, ka marrë në mbledhjen e sotme gjatë analizës së bërë për problematiken e shfaqur gjatë ndeshjeve të zhvilluara javën e kaluar n ndeshjen ms KF Shkodra dhe Tiranës për U-19 kategoria Superiore.

“KF Shkodra U-19, për sjellje të gabuar të spektatorëve pas përfundimit të ndeshjes, në bazë të neneve 65/3/b dhe 65/4/b të KDS, dënohet me zhvillimin e 4 (katër) ndeshjeve pa spektatorë.”,

thuhet në vendimin e publikuar nga Komisioni i Disiplinës për incidentin e ndodhur fundjavën e kaluar në Kompleksin Sportiv “Zmijani” të Shkodrës për ndeshjen e luajtur mes ekipit vendas KF Shkodra-Tirana.

Për ngjarjen në fjalë ka pasur deklarata nga të dy kampet përkatëse. Ekipi mik, me akuzat ashpra të trajnerit, Bledar Devolli, ndërkohë që nga ana tjetër, trajnerët e KF Shkodra, Taip dhe Rudi Piraniqi, nuk pajtohen me incidentin në fund të ndeshjes, por kundërshtojnë deklaratat në tërësi të Devollit, si të pa verteta.

Veriu Sport, sjell për lexuesit e tij, prononcimet e të dy palëve.

Bledar Devolli-Trajner i KF Tirana U-19

…. “Shkuam në Shkodër për të luajtur futboll dhe gjëja e parë që u them lojtarëve të mi është që të qëndrojnë larg provokimeve të kundërshtarëve, ofendimeve të tifozëve dhe të mos e kundërshtojnë asnjëherë arbitrin. Loja po shkonte normalisht deri në momentin pasi ne shënuam gol. Arbitrat nga Lezha u munduan ta menaxhonin mirë takimin. Mirëpo, ofendimet nga jashtë fushe të prindërve të fëmijëve u bënë të padurueshme, qoftë ndaj meje, ashtu edhe ndaj arbitrave.

Më e keqja ishte se pjesë e këtij llumi u bë edhe trajneri i Shkodrës, që nuk dua t’ia përmend as emrin (i referohet Rudi Piraniqit), i cili jo vetëm ofendonte arbitrin vazhdimisht, por edhe mua personalisht. Kërcënime nga më të ndryshmet dhe të mendosh në një ndeshje për U-19.

Për fat të mirë, delegat ishte Eldorian Hamiti dhe i kërkova që takimi të mos zhvillohej pa praninë e policisë. Më dha garanci, pasi sipas tij, ishin dy efektivë afër fushës. Por, më kot, pasi më e keqja dukej sikur do të ndodhte nga momenti në moment.

Sapo mbaroi ndeshja, Hamiti na thotë që të mos futemi në dhomat e zhveshjes derisa të shkojë ekipi pritës. Kështu bëjmë, por befas, një prej personave që ndodhej jashtë fushe vjen dhe në pabesi pasi kërkon të më japë dorën, më godet direkt me grusht në kokë.

Diçka e paimagjinueshme, për më tepër që ndodh në një qytet ku unë kam luajtur vetë futboll. Lojtarët e mi, duke u ndier të rrezikuar, nisën të përlesheshin me personin që u fut në fushë dhe çdo gjë doli jashtë kontrollit. Policia nuk ekzistonte dhe e parandieja që do të ndodhte diçka në atë egërsi, që frymëzohej edhe nga stafi i ekipit të Shkodrës.

Personi që më goditi kishte edhe pistoletë në brez, por fati ishte me ne atë ditë, pasi mund të kishte ndodhur ndonjë tragjedi. I bëj apel FSHF-së të marrë masa që asnjë prej ndeshjeve të mos nisë pa qenë prezente policia. Na u rrezikua seriozisht jeta”, ka rrëfyer trajneri i Tiranës U-19, Bledar Devolli.

Taip dhe Rudi Piraniqi-Trajnerë KF Shkodra

“Trajneri i Tiranës ka deformuar krejtësisht realitetin e ngjarjes dhe kjo ka arsyet e veta. Para ndeshjes çdo gjë ishte OK, si prezenca e policisë, ambulanca dhe mjeku, që vlerësohet edhe nga delegati i ndeshjes.

Ne e quajmë një ndeshje të drejtuar me kompetencë nga arbitrat dhe nuk kishte ndikim në rezultat, pavarësisht se humbëm. Nëse flitet për disiplinë, edukatë, sjellje korrekte të lojtarëve në fushë, janë tregues vetëm një karton i verdhë për lojtarët tanë kundër katër të Tiranës.

Portieri i Tiranës gjatë gjithë lojës ka qenë provokues dhe duke përdorur shprehje ofenduese, bashke me një lojtar tjetër. Devolli deformon realitetin, pasi ai ishte shkaktari kryesor i çdo gjëje që ndodhi në përfundim të ndeshjes.

Ai provokoi stolin e Shkodrës dhe stafin, duke iu drejtuar me fjalë fyese dhe qëndrime të përsëritura nga ana e tij. Devolli që flet për porositë që u jep lojtarëve para ndeshjes, ose nuk janë të vërteta, ose nuk e pyesin futbollistët.

Kartonët e marrë nga lojtarët, sjellja e portierit dhe e një lojtari me provokime e fjalë fyese, reagimi i lojtarëve pas çdo faulli që jepej ndaj tyre janë treguesi më i saktë për ato që deklaron.

Me mbarimin e pjesës së parë, Devolli është afruar në drejtim të personave që ishin duke ndjekur ndeshjen, prindër të futbollistëve të Shkodrës, por edhe prindër të futbollistëve të Tiranës.

Ai i është drejtuar njërit prej tyre që nuk ishte prind i asnjë lojtari tonë dhe e ka fyer. Pas ndeshjes, ky person është kacafytur me Devollin.

Ne si klub dënojmë veprimin e personit që është kacafytur me Devollin, por veprimet dhe qëndrimet e Devollit janë të papranueshme si ndaj personave që ishin duke ndjekur ndeshjen”.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img