Miqësore, Kosovë-Jordani 0-2, test për përballjen e së dieles në transfertë me Greqinë për kualifikueset e Botërorit “Katar 2022”

Në pritje të përballjes zyrtare të fundjavës, ku ditën e dile do të luajë në Athinë përballë Greqisë për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Katar 2022”, kombëtarja e Kosovës zhvilloi mbrëmjen e sotme një ndeshje miqësore me kombëtaren e Jordanisë.

Ndeshja e luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri” filloi vrullshëm për dardanët, me synimin dhe dëshirën e madhe për ta zhbllokuar rezultatin qysh në minutat e para, por presioni ndaj kundërshtarit  nuk solli rezultat.

Në anën tjetër, mysafirët qysh në rastin e parë arritën të shënojnë nëpërmjet Baha Faisal, në minutën e 18-të. Pas pësimit të golit Dardanët në vazhdimësi ishin këmbëngulës për ta rikthyer baraspeshën në rezultat, mirëpo nuk ishin konkret para portës mysafire.

Ndërkaq, në minutën e 85-të Jordania realizoi edhe golin e dytë, kur një kundërsulm të shpejtë e finalizoi Hamza al Daradreh.

Kosova, të dielën, e zhvillon ndeshjen e radhës në Athinë, ku do të përballet me Greqinë, në ndeshjen përmbyllëse të kualifikimeve për Kampionatin botëror “Katari 2022”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu