Sunday, September 22, 2024

Shqipëri-Maqedonia e Veriut 3:1. Kombëtarja U-19 e Armando Cungut dhuron spektakël, shënojnë Mata, Pjeshka dhe Bibo/Eleminatoret e Europianit 2022

Lexo

Shqipëri-Maqedonia e Veriut, 3-1

(Shënues: Mata 19’(p), Pjeshka 48’, Bibo 50’/Talakov 45+1)

Shqipëria U-19: Weiper, Preka, Bytyqi, Dervishi, Pjeshka (Shpendi), Zalli, Alivoda (Çipi), Bibo (Arapi), Hysaj, Mata (Bebeziqi), Toci (C. Shpendi). Trajner: Armando Cungu. 

Maqedonia e Veriut U-19:Tasev, Hristovski, Rexhepi, Ramadani, Jankulovski, Rakipi, Angelov, Feta, Gudjufi, Talakov, Elezi. Trajner: Dashmir Beari

19 vjeçarët e kombëtares së Shqipërisë të drejtuar nga trajneri shkodran, Armando Cungu i kanë mbyllur me fitore eleminatoret e Kampionatin Europian 2022, teksa pasditen e sotme mundën Maqedonina e Veriut me rezultatin 3 me 1.

Ndeshja e luajtur në stadiumin “Elbasan Arena” nisi mjaft mirë për kombëtaren shqiptare, e cila e shikon veten në avantazh në minutën e 19-të, kur Asan Mata shndërron në gol një penallti të dhënë në favor të Shqipërisë. Kuqezinjtë vazhdojnë të luajnë mirë duke pasur edhe raste të tjera për shënim, por në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, maqedonasit, në gjirin e të cilëve gjysma e futbollistëve ishin shqiptarë, arrijnë ta barazojnë rezultatin me anë të  Talakov.

Me barazimin 1 me 1, skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes për pushimin mes dy pjesëve, ndërkohë me kthimin në fushën e lojës vjen shumë shpejt goli i avantazhit për Shqipërinë. Një kombinim shkodranësh, mes Daniel Hysajt dhe Paulo Pjeshkës, finalizohet me anë të Pjeshkës që shënon golin e dytë duke kaluar në avantazh Shqipërinë. Pa kaluar dy minuta nga entuziasmi i golit të dytë, Shqipëria shënon edhe golin e tretë në minutën e 50-të, këtë herë, autor është Stiven Bibo. 3 me 1 për kuqezinjtë e formacionit të drejtuar nga Cungu, i cili edhe pse në avantazh të dy golave orienton skuadrën të vijojë me lojë sulmuese duke regjistruar edhe raste të tjera shënimi në portën maqedonase.

Për të freskuar formacion e tij, tekniku Cungu hedhë në fushë edhe katër forca të reja, Shpendi, Çipi, Arapi dhe Klevis Beqeziqin, mesfushorin shkodran që këtë sezon futbollitik ka lënë Vllazninë duke u bërë pjesë e sllovenëve të NK Olimpija të Ljubjanës.

Vërshëllima përfundimtare e arbitrit izraelit, David Fuxman fikson rezultatin 3 me 1 në favor të Shqipërisë. Fitore kjo me meritë e kombëtares kuqezi, çka tregon edhe për punën e mirë të bërë nga tekniku Cungu, e cila vjen pas barazimit 2 me 2 ndaj kombëtares së Serbisë.

Kjo ishte ndeshja e tretë dhe e fundit për kuqezinjtë në grupin 7, ku Shqipëria ishte shortuar së bashku me Francën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kombëtarja shqiptare arriti të grumbullonte 4 pikë, po aq sa Serbia e vendit të dytë, por për shkak të golavarazhit, kuqezinjtë renditen në vendin e tretë në grup.

Ndeshjet e këtij grupi u zhvilluan të gjitha në vendin tonë, me Federatën e Futbollit që mirëpriti dhe organizoi të gjashta sfidat, duke i konfirmuar edhe njëherë qeverisë së futbollit europian, UEFA-s, seriozitetin dhe sigurinë në menaxhimin e aktiviteteve të tilla të rëndësishme në futboll.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img