Projekti Inter Academy Albania, nënshkruhet Memorandumi Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Inter Club Albania

Lajm i mirë për sportin e moshave të reja në Shqipëri e Ballkan!

Pasditen e së martës është hedhur një hap të rëndësishëm drejt realizimit të projektit Inter Academy Albania, përmes nënshkrimit të një Memorandumi Mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Inter Club Albania.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Ministria do të ofrojë mbështetje institucionale, ndërsa Federata Shqiptare e Futbollit do të vendosë në dispozicion infrastrukturën sportive të nevojshme për lançimin dhe zhvillimin e projektit në Tiranë.

Inter Academy Albania, akademia zyrtare e FC Internazionale Milano në Shqipëri, synon të sjellë një model ndërkombëtar të formimit sportiv dhe edukativ, bazuar në metodologjinë, standardet dhe eksperiencën e një prej klubeve më të mëdha të futbollit botëror. Përmes përfshirjes së stafit teknik të Interit dhe trajnimit të trajnerëve shqiptarë, projekti do të krijojë mundësi të reja për qindra fëmijë dhe familje në kryeqytet, por edhe nga tërë rajoni.

E veçanta e këtij projekti është se iniciativa ka lindur nga forca dhe pasioni i një komuniteti të konsoliduar si Inter Club Albania, i cili ndër vite ka ndërtuar ura të forta bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe FC Internazionale Milano.

Një nga shtyllat kryesore të akademisë do të jetë ndërthurja e sportit me edukimin, duke promovuar idenë se një sportist i mirë mund dhe duhet të synojë të jetë edhe një nxënës i shkëlqyer. Projekti do të nxisë gjithashtu përfshirjen e vajzave në futboll, mbështetjen e talenteve të reja dhe krijimin e mundësive përmes programeve të bursave, duke vlerësuar njëkohësisht rezultatet në shkollë, disiplinën dhe përkushtimin.

Fëmijët dhe të rinjtë do të kenë mundësinë të stërviten dhe të formohen sipas ekselencës elitare të një prej klubeve më prestigjioze në botë, FC Internazionale Milano. Inter Academy përbën tashmë një model të suksesshëm ndërkombëtar, i dëshmuar në vende si Gjeorgjia, ku falë këtij programi janë përgatitur 4 futbollistë të ekipit kombëtar.

- Reklamë -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Reklamë -spot_img

Video

Lexo edhe