Fitorja e dytë brenda javës, të mërkurën për Kupë, 6-1 me Pogrdecin dhe tashmë për Kampionat, 3-1 me Kastriotin. 9 gola që dëshmojnë se sulmuesit janë liruar dhe po tundin rrjetat kundërshtare, edhe pse rastet e shpërdoruara janë përsëri pa mbarim. E gjitha kjo e ka kënaqur trajnerin Brdariç, i cili pas fitores së sotme në “Loro Boriçi” ndaj krutanëve, ka lëshuar mesazhe në drejtim të rivalëve që Vllaznia e madhe po vjen.
“Pikë së pari jam i gëzuar për fitoren, e merituam sepse treguam një performancë solide, ishim të aftë të shënonim më shumë gola. Jam krenar për lojën, për golat. Ishte detyrë për ne të fitonim, kishim dhe pak presion por ja dolëm me sukses. Mendoj se jemi akoma në përmirësim, kam thënë që skuadra është në ndërtim. Të gjithë lojtarët po integrohen, jo çdo gjë që kemi bërë ka qenë e keqe. Duhet të marrim gjërat e mira dhe me kalimin e kohës shpresoj të arrijmë një formë të mirë për të marrë disa fitore radhazi.”, tha fillimisht Brdariç.
Më pas, duke folur për repartin e prapavijës, dhe për hapësirat që ky repart i lejon kundërshtarit, ai tha:”Kemi përmirësuar shumë në aspektin defensiv, kemi për të përmirësuar akoma në kundërsulmet që pësojmë. Gjithsesi mendoj se kemi arritur një fitore të mirë dhe mendoj se me kalimin e kohës nëse mbajmë këto mendime dhe ne do të jemi pozitiv dhe do të shkojmë përpara. Ndoshta ne duhet të zgjedhim në mënyrë më të mirë kush duhet të niset para dhe kush do të duhet të qëndrojë prapa në mbrojtje. Tifozëve u pëlqen ky stil loje, Vllaznia nuk është më surrprizë pasi ekipet e dinë dhe përgatiten përballë nesh, megjithatë sot morëm një fitore dhe kjo ka rëndësi.”, shtoi tekniku kuqeblu.
Sa i përket numrit të pakët të tifozëve në shkallët e stadiumit, “Loro Boriçi”, Brdariç është i mendimit se një gjë e tillë mund të jetë ndoshta dhe për shkak të pozicionit që kanë ndaj ekipit por dhe për shkak të çmimit për biletat. Gjithësesi, ai i falënderoj tifozët e pranishëm në stadium dhe i ftoi që në ndeshjen e ardhshme të jenë sa më shumë pasi skuadra ka nevojë për ta.