Vllaznia-Laçi 1:0 (Shënues: Da Silva 49’)
E shtunë, 27 nëntor 2021, ora 19.45, stadiumi “Loro Boriçi” Shkodër
Vllaznia: Zogoviç, Gurishta, Diagne, Adili, Hakaj, Krymi, Jonuzi, Latifi, Mustedanagic, Hoxhaj; Aralica. Trajner: Thomas Brdariç
Laçi: Dajsinani; Roganoviç, Ignjatoviç, Malota, Ziko; Deliu, Qato, Shehu; Velija, Zarubica, Guindou. Trajner: Mirel Josa
Gjyqtar: Arbitër: Ardian Beqiraj-Sektori VAR: Kridens Meta
Dëmtimi i Mazrrekajt në dhomë, i pahasur ndonjëherë
Ndërkohë që skuadrat përgatiteshin për të zbarkuar në fushën e lojës, në kampin laçjan ndodhë diçka e çuditshme. Informacionet nga dhoma e zhveshjes e kurbinasve bëjnë të ditur se Mentor Mazrrekaj, një nga titullarët më me peshë në radhët e formacionit të Laçit ka rrëshqitur duke alarmuar drejtuesit. Megjithë ndërhyrjen e stafit mjekësor, dëmtimi i pësuar në pjesën e pasme të të ndenjurave nuk e lejon të dalë me skuadrën në fushën e lojës. Rasti në fjalë konsiderohet i çuditshëm duke e bërë me dhimbje koke trajnerin Josa, pasi me mungesat e Lushnjes së skualifikuar me kartonë dhe Marrzekajt të dëmtuar, e rëndojnë jo pak në zgjedhjet e tij për formacionin e parë. Protokolli laçjan korigjohet me shpejtësi duke vendosur në vend të Mazrrekajt, Velinë, i cili e bën mirë punën e tij, por gjithësesi, mungesa e kosovarit ia prishi tërësisht planet taktike të teknikut Josa.
Ndeshja
Në shoqërimin e reshjeve të dendura të shiut, por që për fat nuk ndikuan aspak në dëmtimin e cilësinë së tapetit të gjelbërt të stadiumit “Loro Boriçi”, startoi sfida në mes Vllaznisë dhe Laçit. 1 me 0 në favor të Vllaznisë ka përfunduar ndeshja e luajtur mbrëmjen e së shtunës në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, në kuadrin e javës së dhjetë të kategorisë Superiore të futbollit shqiptar.
Ndonëse, jo në ato përmasat e fazës së parë, ku kuqeblutë fituan me rezultatin 5-3, por mjaftoi mjaftoi një gol i shënuar nga Viktor Silva në minutën e 49-të për t’i dhënë tre pikët shumë të rëndëishme kuqebluve. Një gol që nisë me aksionin e Hakajt nga e majta e sulmit kuqeblu, topi i të cilit i lëshuar tokazi në zonë, shkon direkt në këmbët e Da Silvës, që në formë të një penalltie në lëzizje e dërgon topin në rrjetën e portjerit Dajsinani. Braziliani, kishte vetëm një minutë që u aktivizua në fushën e lojës, dhe shansi ishte me të dhe Vllazninë që goli doli në dritë nga këmbët e tij.
Goli i avantazhit erdhi në pjesë e dytë për Vllazninë, por kuqeblutë mund të kishin shënuar fare mirë në pjesën e parë me disa raste të paraqitura në portën mike, mes të cilave edhe një shtyllë e goditur nga Aralica që i erdhi në ndihmë portjerit Dajsinani për ta mbyllur pjesën e parë pa gol në portën e tij.
Nga ana tjetër, edhe miqtë kishin shanset e tyre, sidomos në dy raste në pjesën e parë kur shpëtoi për mrekulli porta e kuqeblu e mbrojtur nga malazezi Ivan Zogoviç. Ndërkohë që rreziku ishte i pranishëm edhe në limitin e takimit kur po luheshin minutat shtesë, por kuqeblutë që kishin blinduar zonën e tyre e larguan rrezikun nga porta e tyre.
6 pikë radhazi, duke përfshirë edhe ato të marra javën e kaluar ndaj Kastriotit, duke përfituar edhe nga ndalesa e kryesueses Tirana, bëjnë që Vllaznia, tashmë në kuotën e 16 pikëve, në harkun kohor të dy javëve, e ka ngushtuar diferencen me kreun, nga 10 pikë në 5 të tilla duke u pozicionuar në vendin e tretë. Ndërkohë, që laçjanët, me humbjen e pësuar në “Loro Boriçi”, e para nën drejtimin e Josës, bien në vendin 6-të duke mbetur në kuotën e 12 pikëve, aq sa ka edhe Partizani i vendit të pestë.