Vllaznia në basketboll për meshkuj nuk po kalon momente të mira. Pas dy humbjeve radhazi në Shkodër, fillimisht me Tiranën për kampionat dhe më pas me Rahovecin për Ligën Unike, kuqeblutë e drejtuar nga malazezi Nikola Milatoviç, kanë regjistruar humbjen e tretë radhazi.
Humbjen e radhës, Vllaznisë ia ka shkaktuar Teuta e Durrësit. Sfida në fjalë është luajtur mbrëjen e së mërkurës në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të qytetit të Durrësit, ndeshje kjo e vlefshme për javën e shtatë të Superligës së futbollit shqiptar.
Ballafaqimi në fjalë ka pasur të veçantën e vet, pasi vendasit kanë fituar periodën e parë dhe të katërt, 25-14 të parën dhe 24-10 të katërtën. Ndërsa, Vllaznia ka dalë fituese e dy periodave të mesve, 13-18 të dytën dhe 16-22 të treten. Por, ajo çfar ka më tepër rëndësi, rezultati final pas katër periodave, flet për durrsakët që e fitojnë të gjithë ndeshjen 78-64.
Dy ndeshjet e tjera të javës së shtatë të Superligës në basketboll për meshkuj kanë dhënë këto rezultate: Kamza-Partizani 86-78 dhe Dinamo-Tirana 64-76.
Pas javës së shtatë, Superligën e basketbollit për meshkuj e kryeson Teuta me 13 pikë. Tirana është e dyta me 12 pikë, Kamza dhe Vllaznia, me nga 11 pikë, mbajnë vendin e tretë dhe të katërt, të ndjekur nga Partizani dhe Dinamo me nga 8 pikë.