Një Kukës me fat duhet thënë, ishte ai i mbrëmjes së sotme në stadiumin “Loro Boriçi”. Por jo vetem të sotmes sepse edhe në takimet e tjera në këtë stadium si pritës, ka marrë rezultate pozitive.
Edhe pse u gjend shumë shpejt në disavantazh 0-1 me golin e shënuar nga Musta që në minutën e 11-të, Kukësi nuk i humbi për asnjë çast shpresat për të gjetur golin e barazimit, dhe më pas duke e mbyllur me fitore të gjithë ndeshjen, 2 me 1.
Gjithësesi, e verteta është se Partizani i drejtuar nga trajneri Ilir Daja ishte më i qartë taktikisht duke pasur nën kontroll pjesën më të madhe të lojës. Madje, me rastet e krijuara, të kuqtë i kishin mundësinë të shkonin në dhomat e zhveshjes edhe me një gol tjetër të dytë qetësie.
Partizani, edhe mund të vijonte ta mbante epërsinë, ndoshta edhe ta fitonte të gjithë ndeshjen, por gabimi i minutës së 70-të në mosmirëkuptimin mes mbrojtësit Musta dhe portjerit Teqja, përfundoi me një autogol në portën e të kuqve.
Pësimi i golit ç’orientoi skuadrën e Dajës, dhe me këtë rast përfiton Kukësi, ku i udhëzuar nga orientimet e trajnerit Longo shton ritmin sulmues me qëllim që të përfitojë në gjetjen e një goli të dytë. Dhe, e gjen me anë të mjeshtrit Gjelbrim Taipi, i cili duke shfrytëzuar një passim të saktë të kolegut të tij, Feizhaos, lëshon një goditje supermjeshtrore, e cila përfundon direkt e në trekëndëshin e sipërm të majtë të portjerit Teqja.
Është minuta e 83-të kur Kukësi e shikon veten në avantazh. Në vijim, edhe pse Partizani kërkon me insistim të gjejë rrugën e rrjetës, nuk ka më prekje të rrjetave duke mbyllur gjithçka në fitim të Kukësit me rezultatin 2 me 1. Fitore kjo që tregon edhe një herë se skuadra verilindore e ka seriozisht me kreun, dhe se deri në fund do të jetë aty për të kërkuar fitimin e trofeut.