Friday, November 22, 2024

Kosova i rrëmben Shqipërisë, Daniel Lekndreajn. Shkodrani pajiset me pasaportë nga presidentja Vjosa Osmani

Lexo

Që prej ditës së sotme, basketbollisti shkodran, Daniel Lekndreaj, është shtetas i Republikës së Kosovës. Ka qënë një këmbëngulje e gjatë e Klubit të Basketbollit Peja, aty ku Lekndreaj është pjesë e rëndësishme e formacionit, që shkodrani të pajisej me pasaportë kosovare, në mënyrë që aktivizimet e tij me klubin pejan të mos ishin më të si huaj, por si vendas.

Një gjë të tillë e pohoi pak ditë më parë edhe trajneri i ekipit të Pejës por edhe vete Danieli, pas ndeshjes për Ligën Unike që zhvilloi në Shkodër përballë Vllaznisë vendase.

“KB Peja

Zyrtare: Daniel Lekndreaj merr Pasaportën e KOSOVES

Ju njoftojmë se lojtari jonë Daniel Lekndreaj edhe zyrtarisht është pajisur me pasaportën e Kosovës më të cilen do llogaritet si lojtarë vendor në Ligën Unike dhe Superligën e Kosovës.

Falemnderojmë drejtorin sportiv dhe stafin administrativ për një punë të mrekullueshme në këtë drejtim. E një falemnderim të vecantë e kemi për deputetin Gramos Agusholli, i cili ka jap një kontribut të madh që Kosovës ti shtohet edhe një ambasador me shumë në basketboll dhe qe nje ëndër e një te riu shqiptar nga Shqipëria qe ta ketë edhe pasaporten e Kosovës të realizohet.

Gjithashtu, falemnderojmë Presidenten e Kosovës, znj. Vjosa Osmani dhe stafin e saj te shkelqyer për dekretimin e Danijelit me pasaporten e Kosovës.

Suksese Daniel, respekt dhe dashuri gjith’here per pasaporten e dytë ”, citohet në informacionin zyrtar të shpërndarë për publikun nga klubi pejan i basketbollit.

Me marrjen e pasaportës së Kosovës, duke luajtur si vendas, Lekndreaj lehtëson klubin Peja që të ketë hapësira për të shtuar merkaton me ndonjë individ tjetër të huaj.

Krahas lojtarit titullar në formacionin e Pejes, Daniel Lekndreaj është titullar kryesor edhe në formacionin e ekipit kombëtar të Shqipërisë. Gjithnjë referuar intervistës që ai dha pikërisht për këtë temë pak ditë më parë për mediat shkodrane, i pyetur nëse mund të ketë ndonjë vendim nga ana e tij që pas marrjes së pasaportës të luaj për kombëtaren e Kosovës, ai tha që nuk e ka menduar akoma një gjë të tillë.

Kujtojmë që Daniel Lekndreaj është prodhim puro i basketbollit shkodran. Ai, së bashku me të vëllanë e tij, Dod Lekndreaj, që në moshë të vogël u zbuluan nga trajneri i mirënjohur shkodran, Roland Koka, dhe që të dy u bënë shumë shpejt titullarë të ekipit të parë Vllaznia, por edhe të ekipit kombëtar kuqezi. Aktualisht, ndërkohë Danieli po luan me sukses në kampionatin kosovar, i vëllai i tij, Doda po akvizohet me po aq sukses në basketbollin kanadez.

Gaspër MARKU

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img