Sunday, November 24, 2024

Spektakël në “Loro Boriçi”, Vllaznia dhe Kukësi e mbyllin në barazim 1-1

Lexo

Vllaznia-Kukësi 1-1(Shënues: 8′ Latifi / 70′ Puntus)

E enjte, 23 dhjetor 2021, ora 16.45, stadiumi “Loro Boriçi” Shkodër

Vllaznia: Qarri, Gurishta, Adili, Dianje, Hakaj, Krymi, Jonuzi, Kruja(Mustedanagiç 75’), Da Silva, Latifi, Gjorgjeviç. Trajner: Thomas Brdariç.

Kukësi: Tafas, Dragoshi(Daci 67’), Marku, Lulaj, Bytyçi(Peposhi 46’), Basa, Gj. Taipi. De Lukas(Krniç 87’), Sh. Taipi, Feizhao, Milunoviç. Trajner: Diego Longo.

Gjyqtarë: Enea Jorgji, Emigers Ganxhi, Alfred Shkreta. I katërt: Klodian Prenga

Sistemi VAR: Florian Lata.

Në barazim 1 me 1 është mbyllur supersfida e luajtur mbrëmjen e sotme në stadiumin “Loro Boriçi” mes Vllaznisë vendase dhe Kukësit mysafir. Ashtu siç pritej, të dyja skuadrat kanë bërë më të mirën e tyre, ku falë individualiteve që kanë në skuadër, por edhe lojës në grup kanë dhuruar spektakël në fushën e lojës.

Kuqeblutë kaluan të parët në avantazh me anë të Latifit në minutën e nëntë, dhe për hirë të së vertetes vijuan të luajnë mirë në fushën e lojës duke pasur edhe raste të tjera për shënim, mes të cilëve edhe ato të Gjorgjeviç dhe përsëri Latifit, gjuajtjet e të cilëve i pret Tafas.

Nga ana tjetër, edhe Kukësi e rritë ndjeshëm nivelin e lojës duke kërkuar golin e barazimit, por edhe pse ka përballë një portjer debutues si Kristi Qarri, i cili ka zëvendësuar Zogoviçin me problemi shëndetësore, gardiani shkodran bën të mirën duke u treguar një profesionist i vertetë me pritjet e tij të sigurta.

Me avantazhin e Vllaznisë 1-0 skuadrat shkojnë në pushimin mes dy pjesëve, ndërkohë që me kthimin në fushën e lojës, ritmi është po ai i minutës së parë, me raste në të dyja portat respektive. Vllaznia ka mundësi të mbyllë ndeshjen, por Arsid Kruja është i pafat kur topi i goditur prej tij përplaset në pingulen e majtë të portës kuksiane duke u rikthyer në duart e portjerit Tafas.

Dhe, vijmë në minutën e 70-të, kur verilindoret i gëzohen barazimit të rezultatit. Një kros i dhënë në zonën kuqeblu, kalohet me gjoks në formë pasi për Puntur, i cili me një interpretim të përsosur të lëvizjes me trup nxjerr jashtë lufte mbulimin e Adilit, dhe më pas gjuan fort dhe saktë për në trekëndëshin e sipërm të portës kuqeblu.

Emocionet më pas vijojnë të jenë të pranishme në të dyja portat respektive, por portjerët Tafas dhe Qarri, të cilët me të drejtë u cilësuan si lojtarët e ndeshjes, nuk lejojnë më prekjen e rrjetes.

Përfundimisht, barazim 1-1, në një ndeshje vertet spektakël që provoi mbrëmjen e sotme stadiumi “Loro Boriçi”, dhe padyshim ndër më të bukurat që tifozëria shkodrane ka pasur mundësinë të shijonë nga skuadra kuqeblu në këtë pjesë të parë të sezonit. Edhe pse barazimi mund të konsiderohet humbje për Vllazninë, tifozët kuqeblu e kanë duatrokitur gjatë skuadrën e tyre, për vetë atë që futbollistët kuqeblu prezantuan në fushën e lojës.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img