Vllaznia në volejboll për femra, Kategoria U-20 po bën një figurë shumë të mirë sportive. Skuadra e drejtuar nga trajneri, Ferdinand Bardeli është kryesues i Kampionatit Kombëtar me pikët e plota pa asnjë humbje, ndërkohë që edhe në Kupën e Shqipërisë ka vetëm fitore.
Mbrëmjen e së dieles,Vllaznia U-20 fitoi me rezultatin 3 me 0 ndaj Mirditës, ndeshje kjo e luajtur në pallatin e sportit, “Qazim Dervishi”. Fitorja kjo e tretë radhazi në tre ndeshje duke hedhur një hap përpara drejt fitores së këtij kompeticioni. Në intervistën e dhënë menjëherë pas kësaj ndeshje, trajneri Ferdinand Bardeli shprehet i kënaqur, ndërkohë që në vijim flet edhe për objektivat duke deklaruar fitimin e dy trofeve të vitit, si dhe për perspektiven e volejbollit shkodran.
Profesor Bardeli, urime për fitoren, i kënaqur me paraqitjen e skuadrës?
Po, jam shumë i kënaqur. Na u dha mundësia të aktivizojmë edhe vajzat e U-16 të cilat zhvilluan një ndeshje shumë të mirë dhe me cilësi. Kjo është fitorja e tretë radhazi për në, të treja kanë përfunduar me rezultatin 3-0.
Duket që jeni pretedent kryesor për fitimin e Kupës.
Siç e kam thënë edhe më parë, këto vajza japin shumë dhe kanë edhe shumë për të dhënë. Jemi ekipi numër një në Shqipëri për U-20.
Edhe sa ture kanë mbetur për Kupën e Shqipërisë për të përfunduar?
Kemi edhe tre javë. Një ndeshje e kemi në Vlorë, tjetrën me Durrësin në fushën tonë dhe tjetrën me Tiranën në fushën e tyre. Më pas fillon play-off.
Edhe në kampionat Vllaznia U-20 është kryesuese.
Po, jemi kryesuese me pikë të plota. Po e them me plot gojë këto vajza janë e ardhmja e Shqipërisë dhe jo vetëm e Vllaznisë. Furnizojmë gjithashtu edhe ekipin kombëtar ku kemi katër vajza të U-17.
Ky sezon i sivjetëm me formimin e shoqatës dhe me praninë e presidentit Florian Zekja duket që ka sjellë ndryshim me të gjitha skuadrat kuqeblu.
Me ardhjen e presidentit Zekja ka ndryshuar shumë nga ekipi U-16 e deri tek të rriturat. I ka dhënë një faqe tjetër volejbollit të vajzave.
Ju jeni në staf edhe me ekipin e parë përkrah kolegut tuaj Tafa. Çfarë mendimi keni për mbylljen e fazës së parë?
Ne e mbyllëm në vendin e katërt. Vajzat kanë dhënë maksimumin, ato janë në rritje nga ndeshja në ndeshje, por këto dy ndeshjet e fundit për Kupën kemi pasur shumë mungesa në formacion për arsye gripi.
Si është bashkëpunimi mes ekipeve zinxhir?
Me plot bindje po e them që nuk ka qenë asnjëherë si këtë vit. Kemi pasu shumë cilësi dhe kjo vjen nga stërvitja e mirë e profesor Dorit, Haxhagiq, me përgatitësen e fizike Ankelën si dhe unë duke bërë që të gjitha vajzat të japin maksimumin në të gjitha ndeshjet.
Përgëzime dhe urime për arritjet. Një urim nga ana juaj për festat e fundvitit?
Faleminderit ju gazetarëve që na keni qëndruar afër. Uroj gjithë besimtarët katolik gëzuar Krishtlindjet dhe gjithë shqiptarëve gëzuar Vitin e Ri.
Gaspër MARKU