Një miqësore ndërkombëtare mjaft interesante është zhvilluar mbrëmjen e së hënës në pallatin e sportit, “Qazim Dervishi” të Shkodrës. Përballë ekipit Vllaznia në basketboll për femra ka qënë ekipi i basketbollit të femrave nga Afganistani.
“The hostin homeland”, quhej aktiviteti i cili vinte në kuadrin e mikpritjes së komunitetit aftan i akomoduar prej disa kohës në zonën e Shëngjinit të Lezhës, dhe që me ftesë të Bashkisë Shkodër ka qënë prezent në qytetin verior për një aktivitet të përbashkët miqësor sportiv.
Në hapje të aktivitetit ka qënë specialistja e zyrës së kulturës dhe sportit në Bashkinë Shkodër, Vinifreda Gazulli që ka përshëndetur pjesëmarrësit. Ndërkohë, që më pas është bërë prezantimi i formacioneve të skuadrave, fillimisht i ekipit afgan, që nga përfaqësuesit e kësaj skuadre u bë e ditur se kishim të bënim me kombëtaren afgane të basketbollit për femra, dhe më pas edhe i ekipit kuqeblu të Vllaznisë.
Me shumë emocione u shoqërua nga pjesëmarrësit në aktivitet, interpretimi i Himnit kombëtar të të dy vendeve, fillimisht i Afganistanit dhe më pas i Shqipërisë, moment që sportashësit duatrokiten gjatë në mbyllje të secilit prej tyre.
Radhën më pas e ka pasur fusha e lojës, aty ku të dyja skuadrat bënë më të mirën e tyre. Një start mjaft i mirë i skuadrës afgane në fillim të takimit, por që në vazhdim skuadra shkodrane e drejtuar nga trajneri Bledar Gjeçaj, ka bërë diferencen duke filluar shkëputjen e rezultatit, i cili në mbyllje të të gjithë ndeshjes ishte në fitim të skuadrës kuqeblu.
Në prononcimet e dhëna për median, Alfred Zefi, Drejtor i Fondacionit Shpresë për Botën dhe Kordinator i Eventit dhe i aktiviteteve mes komunitetit afgan dhe atij shqiptar, bëri të ditur se takimi i sotëm i zhvilluar në pallatin e sportit, “Qazim Dervishi” të Shkodrës, ishte njëri prej atyre që organizata “Shpresa” që ai drejton ka në programin e saj, ndërkohë që në vazhdim do të jenë edhe të tjera aktivitete argëtuese në shërbim të komunitetit afgan që është akomoduar në Shëngjin.
Shumë e kënaqur për miqësoren ndërkombëtare të zhvilluar mbrëmjen e së hënës në Shkodër në mes Vllaznisë dhe kombëtares afgane në basketboll për femra, u shpreh edhe basketbollistja afgane, Malalai Anwari. Sipas saj, ajo me shoqet e saj e ndjenë veten mjaft mirë në qytetin verior, ndërkohë që shpresojnë të kthehen përsëri në Shkodër për aktivitete të tjera të përbashkëta.
(Video) Miqësorja ndërkombëtare e basketbollit për femra, Vllaznia-Kombëtarja Afgane
Gaspër MARKU