Vllaznia-Tërbuni 4:1
(Shënues: Çoba 38’, Mustedanagiç 50’, A. Hoxhaj 61’,Maliqi 88’/ Peqini 48’ (11m)
E diel, 9 janar 2022, ora 14.00, Stadiumi “Loro Boriçi” Shkodër
Vllaznia: Zogoviç, Gurishta, Diagne, Adili, Hakaj (Smajli 34′), Krymi, Heriç, Da Silva, Latifi, Kruja, Çoba. Trajner: Thomas Brdariç (U aktivizuan: Qarri, Fangaj, Paloka, Bulatoviç, Pano, Maliqi, A. Hoxhaj, Pjeshka, Mustedanagiç, Muliu, Antoni Kalaytan)
Tërbuni: Kuka, Peqini, Hoxha, Metani, Mezini, Saliaj, keka, Filipi, Hysa, J. Peqini, Miloti. Trajner: Elvin Beqiri( U aktivizuan: Demi, Lumani, Ruqi, Dushaj, Ahmet, Xhahysa, Prendi, Rosaj, Stafa).
Gjygjtarë: B. Dragusha, S. Hysjeni, B. Pepnikaj(Shkodër)
Miqësorja, Vllaznia-Tërbuni, takim ky i luajtur sot në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, ka përfunduar me rezultatin 4 me 1 në favor të skuadrës kuqeblu. Një miqësore kjo që në fakt ishte planifikuar të luhej ndaj Prishtinës, por me tërheqjen e kampiones së Kosovës u zëvendësua në çastet e fundit me skuadrën pukjane.
Me dy mungesa, siç ishin ato të Aralicës dhe Jonuzit që sipas stafit teknik kuqblu mungonin për arsye shëndetësore, Vllaznia hodhi në fushë malazezin Zogoviç në portë, Gurishta, Diagne, Adili, Hakaj në prapavijë, Krymi, Heriç, Da Silva në mesfushë dhe Latifi, Kruja, Çoba në sulm.
Ndonëse përballë kishte një skuadër të kategorisë së parë, në 45 minutat e para, Vllaznia nuk arriti të shfaqej në nivelin e kërkuar, kjo edhe për meritë të pukjanëve, të cilët të drejtuar nga trajneri shkodran, Elvin Beqiri, jo vetem që u mbrojtën mirë, por edhe e sulmuan jo pak herë portën kuqeblu. Një formacion pukjan, në të cilin spikasnin edhe futbollistët shkodranë, si Miloti, Hoxha, Ruçi, Xhahysa dhe Stafa, që më herët kanë qënë pjesë e KF Vllaznia.
Gjithësesi, në këtë pjesë të parë Vllaznia arrin të shënojë golin e avantazhit me autor Mehdi Çobën. Kjo ka ndodhur në minutën e 38-të, kur Kruja depërton në fundoren e djathtë dhe fut një top të saktë në zonë për Çobën që nuk heziton të godasë me shpejtësi në rrjetën e portës pukjane të mbrojtur nga Kuka.
Me avantazhin minimal 1 me 0 të favor të Vllaznisë, skuadrat shkojnë në shomat e zhveshjes për pushimin mes dy pjesëve, ndërkohë që të dytën, kuqeblutë shfaqen në fushë me një formacion krejt tjetër, ku vetëm Çoba si titullar dhe Smajli që zëvendësoi Hakajn në të 34-tën minute, janë nga ai i pjesës së pare duke pasur përkrah Qarrin në portë, si dhe Fangaj, Paloka, Bulatoviç, Panos, A. Hoxhaj, Pjeshka, Mustedanagiç, Muliu, Maliqi, Antoni Kalaytan. E njëjta gjë është edhe në kampin pukjan ku edhe trajneri Beqiri realizon shumë ndërrime në fushën e lojës.
Vetëm, tre minuta nga pjesa e dytë dhe Tërbuni arrin të barazojë rezultatin në 1 me 1 falë një penalltie të akorduar nga kryesori Dragusha për ndërhyrje të parregullt të mbrojtësit kuqeblu Fangaj në dëm të sulmuesit myafir, që shndërrohet në gol nga Jurgen Peqini.
Barazim që nuk zgjat shumë, sepse në të 50-tën është boshnjaku Mustedanagiç që pas krosimit të përpiktë të Ardit Hoxhajt nga e djathta godet mjeshtrisht me kokë duke kthyer avantazhin në radhët e kuqebluve.
Tërbuni bën përpjekjet e duhura për të reaguar, por nga ana tjetër është Vllaznia që shënon edhe dy gola të tjere. Fillimisht me anë të Ardit Hoxhajt në të 61-tën minutë dhe më pas në të 88-tën me autor futbollistin e ri Arval Maliqi, i cili vulos rezultatin 4 me 1 në favor të Vllaznisë.
Ky ishte testi kryesor i skuadrës kuqeblu në prag të startit zyrtar të ndeshjeve të Superiores për vitin 2022, ku për Vllazinë fillon me një ndeshje shumë të vështirë, siç ajo e së shtunës së ardhshme që do të luhet në transfertë përballë Tiranës kryesuese. Përgjithësisht, edhe pse pati skuadra pati luhatje në lojës e saj, për drejtuesit kuqeblu, Vllaznia është gati për sfidën e fundjavës së ardhshme, për të cilën stafi teknik ka në dispozicion edhe pesë për tu përgatitur.
Gaspër MARKU