Ish futbollisti i Vllaznisë Alsid Tafili pritet që shumë shpejt të bëhet pjesë zyrtare e Tërbunit të Pukës. Nga sa është parë, Tafili ndoqi nga afër ndeshjen miqësore mes Vllaznisë dhe Tërbunit, luajtur pasditen e së dieles në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.
Por, krahas shijimit të ndeshjes në fjalë, me Tafilin janë parë të bisedojnë prej së afërmi trajneri i Tërbunit Elvin Beqiri dhe drejtori teknik Viktor Gjoni. Nuk ka qënë thjesht bisede për ndeshjen, por edhe takim pune, ku të dy palët kanë shfaqur interes për një bashkëpunim në pjesën e dytë të sezonit.
Aktualisht, Tafili është pjesë e skuadrës kavajase Besa, por rezultatet jo të mira të arrituara gjatë sezonit të kaluar, por edhe në mbyllje të fazës së parë ka bërë që Besa të dalë nga objektivat. Në këtë mënyrë, për Tafilin me interes është fillimi i një aventure të re dhe duke qënë se Tërbuni kërkon të ketë në skuadër një mesfushor me tiparet e vetë Tafilit, palët duket se kanë rënë dakord për një gjë të tillë.
Dhe, për këtë pritet vetem zyrtarizimi, që mund të vijë shumë shpejt. Por, që më herët futbollisti shkodran duhet të ndërpresë me mirëkuptimin kontratën që ka me presidentin kavajas, Nexhat Bizhdili.