Çështja e Ligjit të Sponsorizimeve e kërkuar me shumë ngulm nga komuniteti i futbollit rikthehet në vëmendjen e qeverisë dhe temë diskutimi në tryezën e dialogut. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka i shoqëruar nga presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferri, presidenti i Ligës Profesioniste të Futbollit, Edvin Libohova dhe Drejtor i Departamentit Ligjor në FSHF, Aldi Topçiu, u pritën sot në një takim nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi. Një takim që u zhvillua në një frymë mjaft pozitive, miqësore e bashkëpunuese e ku Ministrja Kushi theksoi gatishmërinë e saj për të punuar intensivisht me komunitetin e sportit e për të çuar përpara këtë nismë të rëndësishme ligjore.
Një takim që sipas Presidentit Duka ka qenë mjaft i vlefshëm dhe propozimi i komunitetit të futbollit është mirëpritur nga Ministrja Kushi, e cila është zotuar se do të japë mbështetjen e saj për të bërë të mundur ndryshimin e legjislacionit, që do të ndihmonte ndjeshëm futbollin dhe të gjithë sportin në Shqipëri.
“Sot patëm një takim me Ministren e Arsimit dhe Sportit, kërkuar nga ne për të riaktivizuar atë iniciativë të lënë rreth 2 vite më parë për ligjin e sponsorizimeve. Takimi ishte shumë i mirë, ishte vetëm takimi i parë për ta riaktivizuar. Ministrja e priti shumë mirë propozimin tonë. Do ta ndjekim bashkërisht procesin për të pasur mbase një ligj sponsorizimi në vitin 2022”, – tha Presidenti i FSHF-së duke folur për mediat pas takimit, teksa ritheksoi bindjen se propozimi i komunitetit të futbollit për ndryshimet në Ligjin për Sponsorizimin mund ta ndihmojë shumë futbollin dhe sportin shqiptar.
“Ne kemi ardhur me të njëjtin propozim, por nuk insistojmë në mekanizma apo në detaje. E rëndësishme është që të ketë një ligj për sponsorizimin, që të sigurojë mbijetesën e sportit në përgjithësi në Shqipëri, jo vetëm futbollit, por edhe sporteve të tjera sepse në këto kushte ne e shohim që është e vështirë që të kemi progresin e domosdoshëm që kërkojnë fëmijët. Ja shtruam edhe diskutimin ministres, kjo nuk është thjesht që sporti është një garë, një kampionat, por sporti është edukim, nivel jetese për fëmijët tanë dhe duhet ta shohim kështu. Dhe buxheti i shtetit, apo marrëdhënia e sportit me biznesin është për të siguruar të ardhmen e fëmijëve tanë”, – tha Duka, ndërsa falënderoi Ministren Kushi për vëmendjen që ajo po i kushton zhvillimit të sportit.
“Do të doja ta falënderoja Ministren për marrëdhëniet shumë të mira me Federatën e Futbollit dhe për një lloj ndryshimi të qasjes së saj për zhvillimin e sportit. Kemi mirëkuptimin e saj dhe kam besim që do ta çojmë përpara këtë gjë. Kemi ndryshuar taktikë. Nuk kemi më taktikë me bojkot, por po provojmë një taktikë tjetër, duke filluar nga Ministria e linjës. Në mbledhjen që kemi pasur para vitit të ri me Ligën Profesioniste, kemi vendosur që një përfaqësi e klubeve dhe Federatës ta iniciojnë këtë takim me Ministren e Arsimit”, – u shpreh Presidenti Duka në prononcimin për median.
Ndiqni në Video, prononcimin e presidentit të FSHF-së, Armand Duka.