Vllaznia, Football Republic, Durrësi 04, Apolonia janë katër skuadrat gjysëmfinaliste të Kupës së Shqipërisë, të cilat u kualifikuan pasi eleminuan respektivisht ekipet Internacional Tirana, Teuta, Tirana dhe Brians për grupmoshën 17 vjeç.
Vllaznia fitoi me rezultatin e pastër 0-3 në ndeshjen e zhvilluar kundër Internacional Tiranës. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin e bardhë 0-0, teksa në fraksionin e dytë, shkodranët realizuan tre gola me anë të Aris Ara në minutën e 52-të, Gerald Kubazi në minutën e 67-të dhe Xhoel Hajdari në minutën e 68-të.
Football Republic mundi me rezultatin e ngushtë 1-0 ekipin e Teutës, një ndeshje e vështirë për të dyja skuadrat. Pjesa e parë e lojës u mbyll me rrjeta të paprekura, teksa goli i vetëm i sfidës u shënua në minutën e 78-të nga Sogani për kryeqytetasit, duke siguruar kështu biletën për në gjysmëfinale.
Ndërkaq, në sfidën tjetër mes Durrësi 04 dhe KF Tirana, ishin durrsakët ata të cilët buzëqeshën në fund, pasi u treguan më të saktë nga 11 metërshat, duke fituar me rezultatin 5-4 dhe duke kaluar kështu fazën tjetër.
Fierakët eleminuan ekipin e Briansit, ku arritën të fitonin e ta mbyllnin ndeshjen me shifrat 3-2. Kurti shënon për Apoloninë që minutën e 29-të të takimit, lezhjanët barazojnë shifrat, por Zoga e Çakaj realizojnë dy gola të shpejtë në minutat 73’ dhe 78’ dhe kundrejt një të Brians në limitin e ndeshjes duke fituar 3-2.
Sipas skemës së përcaktuar nga institucioni i FSHF-së, dy ndeshjet e fazës gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë për moshat U-17, përballin Football Republic me ekipin e Durrësit 04 ndërsa Apolonia do të ndeshet me Vllazninë.
Ndeshjet e fazës gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë për grupmoshën U-17
Football Republic – Durrësi 04
Apolonia – Vllaznia