“Penallti e mohuar ndaj Vllaznisë në ndeshjen e mramshme ndaj Egnatias në minutat shtesë!
Dakort arbitri nuk e dha!
Dakord që edhe VARi nuk ndërhyni!
Po i lajm tana ça kan ndodhë!
Po e lajm edhe neglizhencën e teprume të lojtarëve!
Pyetja jeme asht shumë e thjeshtë!
📣 Si ka mundësi që asnjë lojtar nuk reagon fuqishëm!?
📣 Si ka mundësi që as trajneri nuk e përmend nji rast të tillë flagrant!?
📣 Si ka mundësi që asnjë prej drejtuesve nuk reagon për kët rast!?
‼️Ishtu vret keq‼️”
Ky është publikimi që Ermir Vajushi ka bërë për opinionin sportiv shkodran dhe më gjërë, por që një kopje e tij ka mbërritur edhe në Redaksinë e Veriu Sport.
Fjala është për atë penallti të padhënë për Vllazninë në kohën shtesë të përballjes me Egnatian, që për Vajushin, si gjatë ndeshjes dhe po ashtu edhe pas saj, ka një indiferentizëm paksa të pakuptimtë nga vetë futbollistët, stafi teknik dhe drejtuesit e klubit kuqeblu. Dhe, kjo është arsyeja që ai ka vendosur të reagojë publikisht.
Një reagim i tillë i guximshëm i Vajushit, një person që njihet për kontributet e tij mediatike dhe sidomos organizative në grupimet e tifozëve shkodranë në mbështetje të skuadrës së zemrës, duhet marrë në konsideratë. Krahas të tjerave, ai është iniciuesi dhe realizuesi i një emisioni të drejtpërdrejt viziv në rrjetet sociale dedikuar mendimit të tifozëve, duke ndikuar jo pak në afrimitetin e tyre pranë skuadrës kuqeblu.
Ai realisht, njihet edhe si një person i afërt dhe bashkëpunues me Klubin e Futbollit Vllaznia, strukturat e tij drejtuese dhe vetë presidencen. Por, kjo nuk e ka penguar atë asnjëherë që sa herë ia lyp nevoja të shprehet hapur, bindes dhe me argument, për atë që ai mendon.
Për këtë, dhe shumë të tjera, shqetësimi, akuza dhe mesazhi i Ermir Vajushit, ia vlen të dëgjohet!