Fabian Gjuka quhet emri i trajnerit të ri të Vllaznisë në basketboll meshkuj. Ai vjen nga Kosova, atje ku krahas karrieres së suksesshme si basketbollist, ka spikatur edhe në cilësinë e trajnerit të ekipeve të femrave dhe meshkujve.duke qënë fitues i trofeve.
Në prononcimin e dhënë për Veriu Sport, shqiptari i Kosovës që vjen nga qyteti i Pejës, bën të ditur se me Shkodrën dhe shkodranët, ka kohë që njihet, mes të cilëve veçon mjekun e njohur Eqerem Hasani. Ndërkohë, që duke kryer studimet e Universitetit në kryeqytet, luan edhe me Tiranën nën drejtimin e trajnerit të njohur Bujar Shehu.
Profesor Gjuka, si e pritët ftesën për të drejtuar Vllazninë e Shkodrës?
Sinqerisht mua më ka ardhur shumë mirë sepse në Shkodër e ndjej veten si të shtëpisë sepse një kohë më parë kam banuar dy vite në Shkodër. Atë kohë kur fillova shkollimin së pari kam qenë tek doktor Eqerem Hasani dhe kam banuar tre muaj tek ai derisa fillova shkollën në Tiranë. Më pas fillova të luaj basketboll me Tiranën me profesor Bujar Shehin dhe emra të njohur të basketbollit shqiptar.
Më pas vijuat detyrën e trajnerit në Kosovë duke pasur suksese të shumta në karrieren tuaj sportive.
Pas luftës kam luajtur dy vjet basketboll me skuadrën e Besës dhe më pas fillova si ndihmës-trajner te skuadra e Dukagjinit që sot është Peja, pastaj me skuadrën e parë të Besës, Penzën, Universitetin e Prishtinës, për një kohë të shkurtër kam qenë edhe tek Teuta e Durrësit, por pata një problem shëndetësor dhe u vendosa të shkëpus marrëdhënien. Gjej rastin të falenderoj presidentin e Teutës atë kohë i cili më ka pritur shumë mirë. Mikpritja në Shqipëri nuk më ka munguar kurrë dhe në Shkodër e ndjej veten si në shtëpi. Njerëzit e klubit janë fantastik, ato më kanë vlerësuar shumë duke më pritur si një strateg me përmasa botërore.
A mendoni që Vllaznia do të ketë rikthim aty ku i takon?
Së pari kur më është propozuar ky klub, m’i kanë treguar problemet. Mua më pëlqejnë sfidat, gjithmonë ekipet që i kam marrë i kam përgatitur vetë për qëllime të larta dhe sa erdha këtu pashë një skuadër që po konsolidohej dhe mund të them që skuadra është deri diku e kompletuar. Unë nuk jam mësuar të humbas dhe shpresoj që me potencialin që ka skuadra të arrijmë qëllime me të cilat kryesia do të ishte e kënaqur.
Në fundjavë ishte planifikuar të luhej ndeshja gjysëm finale e Kupës së Shqipërisë Vllaznia-Kamza Basket, por për arsye të kushteve të motit është shtyrë si ndeshje. Një mundësi e mirë për ju kjo.
Sigurisht, kjo situatë na ka ndihmuar për arsye të komponimit të skuadrës.
Duket që edhe merkatoja kuqeblu po lëviz.
Po, merkatoja mirë është. Sot na vjen edhe një i huaj dhe do e kompletojmë ekipin të jemi gati që ndeshjen e parë me Kamzën.
Besoni që mund ta eleminoni Kamzën për të shkuar në finale?
Në qoftëse nuk do të kisha besuar që do të jem pretendent në kampionatin shqiptar nuk do të vija fare këtu.
Shkodra ka një tifozëri të zjarrtë dhe në momentin që skuadra është mirë pallati i sportit mbushet dhe ka entuziazëm. Çfarë i premtoni kësaj tifozërie?
Tifozërisë i bëj thirrje të jetë pranë ekipit. Ka momente kur ekipi nuk i ec mirë dhe ai është momenti kur tifozëria duhet ta mbështesë sepse kur çdo gjë shkon mirë të gjithë vrapojnë. I ftoj dhe i premtoj lojë të mirë, angazhim timin, të lojtarëve, kryesisë dhe i ftoj që t’ia kthejmë Shkodrës atë që i takon.
Profesor faleminderit dhe suksese!
Shumë faleminderit ju!
Gaspër MARKU