Organizmi që qeveris futbollin evropian, UEFA, ka reaguar ndaj episodeve të ditëve të fundit, që kanë shoqëruar procesin parazgjedhor për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit. Ndonëse nuk ka ende një deklaratë të mirëfilltë zyrtare, UEFA i është përgjigjur interesimit të Agjencisë së Lajmeve “Associated Press”, lidhur me shpërthimin e ndodhur të hënën në mbrëmje në banesën e Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit. Sipas shkrimit në fjalë, “Incidenti bëri që organi qeverisës i futbollit evropian, UEFA, të shprehë shqetësimet e sigurisë në lidhje me kryeqytetin, Tiranë, që pret finalen e Ligës së Konferencës më 25 maj 2022”.
“UEFA tha se zyrtarët e saj do të udhëtojnë së shpejti në Shqipëri për të diskutuar shqetësimet e vazhdueshme rreth ndërhyrjeve politike në futboll atje përpara zgjedhjeve të Federatës, – vijon më tej shkrimi i “Associated Press”. – Nëse Duka do të humbiste zgjedhjet presidenciale më 2 mars, atij do t’i duhej të hiqte dorë nga vendi i tij në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Gara shqiptare ka ndezur një përplasje mes Dukës dhe Bashkisë së Tiranës, e cila e ka akuzuar atë për korrupsion.
UEFA tha se delegacioni i saj dëshiron të “diskutojë çështjet aktuale dhe të ngrejë shqetësimet e saj në lidhje me organizimin e sigurt të Ligës së Konferencës 2022 në Tiranë, në dritën e ngjarjeve të fundit”. Në mbyllje, shkrimi i Agjencisë së Lajmeve “Associated Press” thekson se “UEFA e përshkroi ndërhyrjen e jashtme në futbollin shqiptar si “qartësisht të papranueshme” dhe një shkelje të rregullave të saj ligjore.”