Faruk Sejdini, një emër shumë i njohur i futbollit shqiptar, ish futbollist dhe ish trajner i kombëtares, por edhe i disa skuadrave të kampionatit shqiptar, ku më së shumtmi njihet si i familjes dinamovite është treguar i ashpër me dy trajnerët e huaj të Superiores së futbollit shqiptar, Thomas Brdariç i Vllaznisë dhe Diego Longo i Kukësit. Gjatë një prononcimi mediatik, Sejdini, shprehet se dy trajnerët në fjalë kanë probleme në drejtim, dhe se, sipas tij, skuadrat që ato drejtojnë do ta pësojnë prej tyre.
“Kukësi, vuan nga euforia e trajnerit. Ne kemi sindromën e të huajve, ai e bleu këtë gjë dhe erdhi duke thënë ja, kam marrë titull këtu, kam marrë trofe këtu. Bëri mirë? Po si nuk do të bënte mirë kur harxhon 1 milionë e gjysmë euro, 2 milionë euro. Kam qenë me Gjelbrim Taipin në një studio, shumë i edukuar, lojtar e djalë i mirë. Po i bëj indirekt një pyetje për trajnerin që tha se që kur erdhi me trajnerin kemi filluar të luajë futboll europian. Po tani, Tirana çfarë luan, futboll hëne që e rreh? Problemi është që kemi sindromën e të huajit. Unë mendoj, të vijnë se eksperiencë është, por jo kështu. Ndërsa, të shohësh atë të Shkodrës, bën për një rivënie anësore a thua se i morën tapinë e shtëpisë. Kujt i duhen këto, që ta bëjë një trajner shqiptar… Kërkojnë të bëjnë shoë me këto. Kukësi dhe Vllaznia do e humbin kampionatin nga trajnerët”, deklaroi Faruk Sejdini.