Në kuadër të përgatitjeve për Kampionatin Europian “6×6” që do të mbahet këtë verë në Sllovaki, Kombëtarja e Shqipërisë në Minifutboll po testohet në dy përballjet miqësore me Kombëtaren e Malit të Zi.
Sfida e parw miqësore, Shqipëri-Mali i Zi u zhvillua pak ditë më parë në Tiranë ku malazezët fituan me rezultatin 0-2, Ndërkohë, miqësorja e dytë mes këtyre dy skuadrave do të zhvillohet në kryeqytetin malazez, Podgoricë më datë 18 mars 2022.
Burime zyrtare pranë Federatës Shqiptare të Minifutbollit bëjnë të ditur për Veriu Sport, se me kërkesë të trajnerëve të kombëtares së minifutbollit Olsi Xhaferi dhe Irtan Sejko pjesë e kombëtares janë bërë edhe tre futbollistët shkodranë, Haris Lika, Admir Mehja dhe Semir Gogaj.
Tre futbollistët në fjalë aktualisht janë titullarë me ekipin “Air Albania” duke konkuruar në kampionatin Kombëtar të futbollit amator 5×5 për zonën e Shkodrës, ku edhe janë shpallur kampionë dy javë përpara përfundimit të kampionatit.
Në pritje të ndeshjes së dytë, treshja shkodrana Lika-Mehja-Gogaj do t’i nënshtrohet dy grumbullimeve që do të organizohen në Tiranë nga trajnerët Xheferi dhe Sejko me datë 10 dhe 14 mars, dhe më pas për të udhëtuar për në Podgoricë për sfidën zyrtare, Mali i Zi-Shqipëri, e planifikuar për t’u luajtur me 18 mars në kryeqytetin malazez.